Haxhiu: Gjykata Kushtetuese, me vendimin e fundit, i tejkaloi kompetencat e saj

Prishtinë, 10 gusht 2025 – Ministrja në detyrë e Drejtësisë të Kosovës, Albulena Haxhiu, e komentoi të dielën vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila të enjten urdhëroi deputetët e zgjedhur që kryetaren e Kuvendit të Kosovës ta zgjedhin përmes votimit të hapur dhe konstituimin e Kuvendit ta përmbyllin brenda 30 ditëve.

Ajo tha se me këtë vendim Kushtetuesja i ka tejkaluar kompoetencat e saj, gjë që, sipas saj, përbën “shqetësim serioz”.

“Për mua, njoftimi i Gjykatës Kushtetuese përbën shqetësim serioz, sepse është tejkalim flagrant i kompetencave që ka Gjykata Kushtetuese”, tha Haxhiu.

“Sipas nenit 4 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë që e bën interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe është institucioni që është garant i respektimit të Kushtetutës. Disa nga pikat e dispozitivit që tashmë është bërë publik nuk burojnë nga teksti i Kushtetutës dhe nuk janë të parashikuara në asnjë nen të Kushtetutës, as në Rregulloren e Kuvendit. Për pasojë, ato përbëjnë krijim të normave të reja, çka është funksion i pushtetit legjislativ por jo dhe i pushtetit gjyqësor”, tha ajo.

Sipas saj, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të hapur dhe që një kandidat mund të votohet vetëm tri herë, bie ndesh me vendimin e parafundit, ku thuhej se në Kushtetutë nuk përcaktohet nëse votimi për kryetar të Kuvendit duhet të jetë i hapur apo i fshehtë, prandaj vendimi për mënyrën e votimit merret nga deputetët.

“Gjykata [Kushtetuese] mund të trajtojë aktet e Kuvendit, por assesi të një individi, në këtë rast të kryesuesit. Tjetra thotë procesi i votimit për kryetar dhe nënkryetarët se votimi duhet të bëhet i hapur tash pyetja është se në aktgjykimin e parafundit ka thënë se nuk parashihet që votimi të jetë i hapur apo i mbyllur, kjo është në vullnetin e deputetëve. Tash gjykata thotë se votimi duhet të jetë i hapur. Ku e merr këtë të drejt gjykata? Pra, gjykata ia ka grabitur kompetencat kushtetuese deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse ata janë autoriteti që duhet të vendosë. Këtë [Kushtetuesja] e ka konfirmuar edhe në aktgjykimin e vitit 2025. Tjetra është që votimi që duhet të realizohet vetëm tri herë. Ku e ka parë gjykata këtë?”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se nuk e di se a do ta respektojë partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, vendimin e fundit  të Kushtetueses. Ajo tha se nuk e di nëse në rastin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit vlen vendimi i Kushtetueses i vitit 2014 apo vendimi i 26 qershorit.

“Se cili do të jetë veprimi jonë pas këtij njoftimi, pas aktvendimit, do ta kuptoni kur të vijë koha. Në fakt unë nuk e di cilin ta respektojmë tani, atë të vitit 2014, atë të para një muaji”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se vendimet e Kushtetues duhet të respektohen, por është e drejtë e kujtdo t’i komentojë dhe t’i kundështojë ato.

“Natyrisht se vendimet e Kushtetues duhet të respektohen, por ato duhet të komentohen dhe të kundërshtohen siç po bëjmë sot këtu, pra nuk duhet të heshtim përballë të këtij tejkalimi flagrantë të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, e priti me kritika vendimin e Gjykatës Kushtetuse të 8 gushtit. Ajo e cilësoi atë si vendim “arbitrar” e në kundërshtim me Kushtetutën.

Ndërkaq, tri partitë shqiptare që në mandatin e kaluar ishin në opozitë (Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) e mirëpritën vendimin e Kushtetueses, duke e cilësuar si “fitore të demokracisë” në Kosovë.

(r.m.)