Prishtinë, 10 gusht 2025 – Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA).
Ajo ka thënë se, sipas informacioneve të institucioneve të sigurisë së Kosovës, Radimor Llaban, gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese nga komuniteti serb, përbën kërcënim për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Bazuar në informacionit që i kanë institucionet relevante, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Radomir Llaban dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët e Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, e njohur si BIA”, ka thë Haxhiu të dielën, në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
Haxhiu ka thënë se dyshohet se Llaban, i cili ishte zyrtar për inteligjencë në Doganën e Serbisë, ishte arrestuar dhe ishte dënuar me gjashtë vjet heqje lirie, për aktivitete kriminale dhe për korrupsion. Ajo ka shtuar se dyshohet se Llaban ishte “komprometuar” nga BIA me qëllim që ta zhvendoste në Kosovë.
“Ladomir Llaban në vitin 2006 ishte pjesë e Doganave të Serbisë, zyrtar në njësinë për inteligjencë. Sipas të dhënave të bëra publike, ai ishte përfshirë në aktivitete kriminale dhe në korrupsion dhe ishte dënuar me 6 vite heqje lirie. Ky rast dyshohet të jetë momenti kur BIA e ka komprometuar dhe ia ka organizuar zhvendosjen në Kosovë”, është shprehur ajo.
“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, ka theksuar Haxhiu.
Sipas saj, Llaban ka raporte të afërta me Millan Radojçiqin, kreun e grupit të armatosur serb që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.
“Ai ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se “falë këtyre marrëdhënieve”, Llaban ka përfituar në prona të paluajtshme dhe i ka punësuar familjarët e tij në Serbi.
“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, ka thënë ajo.
Haxhiu i ka bërë thirrhe Prokuroria e Shtetit “të nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve” ndaj Llabanit.
“Sot i bëjmë thirrje Prokurorisë që menjëherë t’i trajtojnë lëndët që ndërlidhen me Radomir Llabanin, që menjëherë të nxjerrin aktvendim për fillim të hetimeve, nëse këtë nuk e kanë bërë deri tash”, ka thënë ajo.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë ka thënë se dërgimi i Llabanit me shërbim në Kosovë është pjesë e përpjekjeve të Serbisë për destabilizimin e Kosovës.
“Serbia asnjëherë s’ka hequr dorë nga përpjekjet për ta destabilizuar Kosovën dhe për të penguar zhvillimin e saj në të gjitha format e saj. Kohëve të fundit është arritur një sukses i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe inteligjencës, në dokumentimin e aktivitetit të spiunazhit e sabotazhit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë ajo.
“Serbia ka përdorur historikisht dhe e përdor edhe sot agjenturën e saj me qëllim që të shtrijë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë. Në mesin e këtyre shembujve është edhe ai i Radomir Labanit”, ka thënë ajo.
Integriteti i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomis Llaban, nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo e tërhoqi kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarime mbi pasojat juridike të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës brenda afatit 30 ditor të përcaktuar nga kjo gjykatë, për shkak se gjytar raportues për çështjen ishte caktuar Llaban. Osmani tha se nga autoritetet e sigurisë ka informacion të klasifikuar se Llaban paraqet rrezik për sigurinë në Kosovë.
Osmani tha se ajo nuk ka autoritet ligjor e kushtetues që mund të shkarkojë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nga kredencialet e tyre. Ajo shpjegoi se një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga Presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës aktualisht i ka shtatë gjyqtarë aktive. Largimi eventual i ndonjërit prej tyre do ta bënte jofunksionale këtë gjykatë. Shkarkimi ose dorëheqja e Llabanit do të çonte në mungesëb e kuorumit për marrjen e vendimeve.
(r.m.)