Prishtinë, 5 mars 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit si edhe pezullimin e përkohshëm të afatit kushtetues për procedurën e zgjedhjes së të parit të shtetit.
Ajo ka thënë se për këtë e ka njoftuar edhe Presidenten Vjosa Osmani.
“Sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. Lidhur me këtë, e kam njoftuar edhe Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu”, ka njoftuar Haxhiu në Facebook.
Kërkesa e kryeparlamentares Haxhiu erdhi pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit. Seanca dështoi për shkak të mungesës së kuorumit për votimin e kandidatëve për president – Glauk Konjufcës dhe Fatmire Kollçakut. Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, ndërsa për votim të vlefshëm duhet të marrin pjesë së paku dy të tretat e deputetëve, 80 deputetë.
Gjatë seancës, para konstatimit të mungesës së kuorumit, kryeparlamentarja Haxhiu, duke iu referuar Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, tha se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancë.
Një ditë më parë, Haxhiu tha se kur thirret seanca për zgjedhjen e presidentit nis të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Sipas saj në Kushtetutë nuk është e përcaktuar se çka ndodh nëse presidenti zgjidhet pas ditës kur skadon afati, në këtë rast pas 5 marsit, prandaj çështja gjendet në një “terren të pashkelur”.
Në nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se një nga rastet kur Kuvendi mund të shpërndahet është nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës.
E në nenin 86, thuhet se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentes aktuale, Vjosa Osmani, mandati i përfundon më 4 prill.
Para kësaj seance të dështuar, Kuvendi i Kosovës e mbajti një tjetër seancë të jashtëzakonshme, e cila ishte thirrur për të miratuar ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të vendit me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Por, edhe votimi për amendamentimin e Kushtetutës dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Sipas Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese bëhen me shumicë të dyfishtë: me votat e dy të tretave të përbërjes së Kuvendit dhe të dy të tretave të deputetëve të komuniteteve pakicë. Në sallë ishin të pranishëm 94 deputetë, por mungonin 9 deputetët e Listës Serbe, çka e bënte të pamundur sigurimin e votave të dy rë tretave të komuniteteve.
Amendamentet kushtetuese iu dërguan Kuvendit nga Presidentja Vjosa Osmani, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.
(r.m.)