Prishtinë, 18 gusht 2026 – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi të martën se ka ardhur koha që të flitet me emra konkretë për “një kandidat konsensual” për president të ardhshëm të vendit. Në këtë kontekst, ajo e ka kujtuar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen me konsensus të presidentit.
“Ju e dini që kemi një qëndrim të LDK-së për president konsensual. Ta shfrytëzojmë atë e të flasim me emra të përveçëm për një kandidat konsensual, për një kandidat që nuk është në ndonjërën nga partitë politike”, tha Haxhiu.
Sipas saj, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka thënë se kjo parti nuk do të ketë kandidat për president.
“Kryetari i VV-së e përsëriti se nuk do që të ketë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha ajo.
Haxhiu tha se Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të takohen së shpejti për të diskutuar për çështjen e presidentit. Ajo uroi që në bisedime të përfshihen edhe partitë tjera.
“Sipas njoftimit që na dha Kurti, me LDK-në do të ketë takim shumë shpejt. Uroj që këtyre takimeve t’u bashkohen edhe partitë tjera politike dhe jo të refuzojnë, sepse refuzimi s’çon në marrëveshje. Qytetarët presin kuvend, qeveri e president”, tha Haxhiu.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes i bëri këto komente pas takimit të përbashkët me përfaqësues të partive parlamentare, të cilin e kishte ftuar për të diskutuar për procesin e formimit të institucioneve të vendit dhe për “shmanien e zgjedhjeve të tjera të parakohshme”.
Thirrjen e saj e refuzuan Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe dhe Aleanca. Liderët e këtyre partive e kontestuan legjitimitetin e Haxhiut si ushtruese e detyrës së presidentes. Sipas tyre, Haxhiu e ka humbur këtë legjitimitet pasi ka dhënë betimin si deputete e përbërjes së re të Kuvendit.
LDK-ja është partia e vetme që ka negociuar me Kurtin. Ditë më parë, kjo parti njoftoi se ka hequr dorë nga marrëveshja politike dhe ka kërkuar që president I ri i vendit të zgjidhet me konsensus një figurë jopolitike.
Por, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shprehu gatishmërinë të takohet me Kurtin për bisedime për residentin e ardhshëm të vendit.
(r.m.)