Prishtinë, 10 gusht 2026 – Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si kërcënim për sigurinë në Kosovë kërcënimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me devijimin e rrjedhës së lumit Ibër, i cili ka rëndësi jetike për Kosovën.
Të dielën, Vuçiqi ka thënë se ka angazhuar ekspertë dhe ndërtimtarë për të shqyrtuar mundësitë për devijimin e rrjedhës së Ibrit.
Haxhiu, në Konferencën e Ambasadorëve të Kosovës, u ka kërkuar ambasadorëve që kërcënimet e Vuçiqit t’i adresojnë në vendet ku shërbejnë, duke paralajmëruar pasojat e ndërhyrjes eventuale në rrjedhën e Ibrit.
“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasojë shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë. Për këtë arsye diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese”, është shprehur ajo.
“Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Ksoovës është i papranueshëm dhe se idetë e tilla që ngjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës, duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, ka theksuar Haxhiu.
Ajo i ka porositur ambasadorët e Kosovës që ta mbajnë aktuale edhe përgjegjësinë e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, si edhe për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës.
“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë, për dorëzimin e kryeterroristit Milan Radojçiq dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm terrorist. Po ashtu edhe për zbardhjen e fatit të mbi 1500 personave të zhdukur gjatë luftës. Adresimi i këtyre çështjeve është pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon një normalizim të vërtetëve të qëndrueshëm, të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka thënë se parnerët e Kosovës duhet të informohen edhe për gërmimet që po zhvillohen në tri lokacione në komunën e Zubin Potokut, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës
“Partnerët tanë duhet ta dinë që edhe sot në Kosovë po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, ende pret përgjigje. Prandaj duhet t’i bëhet presion Serbisë që të hap arkivat”, ka deklaruar Haxhiu.
Mbi 1500 persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë nuk janë gjetur ende. Autoritetet e Kosovës kërkojnë më ngulm hapjen e arkivave të ushtrisë e policisë serbe, duke qenë të bindur se në to gjenden informacione të rëndëesishme për ndriçimin e fatit të të pagjeturve dhe zbulimin e autorëve të krimeve të luftës në Kosovë.
Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut për Normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë, ka kërkuar që ndaj beogradit të ushtrojë presion për përmbushjen e kërkesave që dalin nga Deklarata për Personat e Zhdukur, të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vitin 2023.
(r.m.)