Haxhiu: Kërkesa e Vetëvendosjes për shkarkimin e Llabanit ishte cilësuar si ndërhyrje në pavarësinë e Kushtetueses

Prishtinë, 6 gusht 2025 – Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se në kohën kur Radomir Llaban ishte dekretuar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese më 2018, partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga gjykata nisjen e procedurave për shkarkimin e tij.

Por, një kërkesë të tillë, sipas Haxhiut, kryetarja e atëhershme e Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, ishte cilësuar si “ndërhyrje në pavarësinë” e Gjykatës.

“Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij.

Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte ‘ndërhyrje në pavarësinë e tyre’”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ky reagim vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ajo e ka tërhequr kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetueses lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit, për shkak se gjyqtar raportues për këtë kërkesë ishte caktuar gjyqtari Radomir Llaban.

Osmani tha se më 2018, 2021 dhe 2024 institucionet e sigurisë kanë dorëzuar informacione lidhur me, siç tha, “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit. Ajo tha se më 2021 dhe 2024 me Gjykatën Kushtetuese ishin ndarë informacione sipas të cilave gjyqtari Llaban “paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Presidentja e Kosovës nuk tregoi se çfarë rreziku përbën Llaban për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke theksuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.

Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronte Llabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

Shkarkimin e një gjykatësi të Kushtetueses e bën presidenti i Kosovës. Por, propozimi për shkarkimin e tij bëhet nga dy të tretat e gjyqtarëve të Kushtetueses, e cila i ka gjithsej nëntë gjykatës, e pastaj i dërgohet Presidencës.

(r.m.)