Haxhiu: Kush mendon se është shkelur Kushtetuta le t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 10 gusht 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shmnagur t’u përgjigjet pretendimeve se ndërprerja e seancës konstituive të Kuvenditt ë Kosovës me 7 gusht dhe thirrja e seancave pas kësaj date përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Ajo ka sugjeruar që kushdo që mendon është shkelur dhe po shkilet Kushtetuta t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Se a është shkelur apo jo Kushtetuta na tregon Gjykata Kushtetuese. Kushdo që konsideron që është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës mund ta dërgojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Haxhiu të hënën.

“Vitin e kaluar ka pasur më shumë se tri-katër herë që e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Tani Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar seancën konstituive si çështje kushtetuese, por në qoftë se dikush vlerëson se dikush këtu po e shkel Kushtetutën, atëherë le t’i drejtohet instancës që e interpreton veprimin tonë”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka vënë disa deputetë të partive opozitare nuk janë konsekuentë në qëndrimet e tyre, derisa pretendojnë se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar dhe prapë kërkojnë vazhdimin e seancës.

“Tash, dikush po thotë që i kemi 30 ditë përpara. Dikush tjetër po thotë janë konsumuar ato 30 ditë. Ata që mendojnë se janë konsumuar, po kërkojnë seancë. Është e rëndësishme që ta kenë një qëndrim të qartë, sepse nuk bën që sot paradite të mendosh diçka tjetër, pasdite diçka tjetër ose nesër diçka tjetër. Le t’i thonë qartë e hapur qëndrimet e tyre”, ka thënë ajo.

Haxhiu u ka bërë thirrje subjekteve politike të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja. Ajo ka thënë se tensionet e fundit në Kuvend dëshmojnë se partitë politike duhet të angazhohen për dialog dhe për marrëveshje politike.

“Për shkak të zhvillimeve të fundit, tensioneve, përshkallëzimit të situatës brenda Kuvendit të Republikës në seancën konstituive të Kuvendit, konnsideroj se duhet t’u jepet përparësi dialogut dhe marrëveshjeve politike”, ka deklaruar Haxhiu.

“Nuk na duhen situata tensionuese, përshkallëzime, konflikte fizike apo të tjera si këto”, ka theksuar ajo.

Haxhiu ka uruar që gjatë ditëve në vijim të ketë “sa më shumë takime dhe jo refuzime të takimeve” në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

“Uroj që gjatë kësaj periudhe kohore të ketë sa më shumë takime e jo refuzime të takimeve si edhe jo kërkesa në shpërputhje me vullnetin e popullit, në shpërputhje me fuqinë politike të partive politike”, është shprehur ajo.

“Të ulemi seriozisht, le të flasim për një marrëveshje që nuk çon te bllokada, nuk çon te zgjedhjet e parakohshme. Nuk kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme sepse kemi shumë punë përpara”, ka shtuar ajo.

Haxhiu ka shtuar se uron që gjatë bisedimeve të mos ketë “kërkesa në shpërputhje me fuqinë politike të partive politike”. Ajo, në mënyrë indirekte, i ka fajësuar partitë politike në opozitë për mungesën e marrëveshjes politike për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

“Ne kemi bërë shumë veprime në këtë drejtim, por nuk mundet vetëm njëra palë në vazhdimësi të bëjë oferta apo të bëjë propozime, por duhet që edhe palët e tjera, të cilat janë të përfshira në këto diskutime, të japin kontributin e tyre”, ka thënë Haxhiu.

(r.m.)