Prishtinë, 2 shtator 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se i ka liruar nga detyra 18 gjyqtarët serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.
Ajo ka thënë se dekretin për lirimin e tyre nga detyra e ka nënshkruar në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Më 27 gusht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës të komunitetit serb për tërheqje të dorëheqjeve nga sistemi gjyqësor të dorëzuara në vitin 2022. Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka propozuar ushtrueses së detyrës së Presidentes lirimin e tyre nga detyra.
Bashkimi Evropian ka shprehur “keqardhje të thellë” që Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka refuzuar kërkesën e e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës të komunitetit serb për tërheqjen e dorëheqjeve. Para se të merrej ky vendim, Brukseli kishte kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të dorëhequr të zgjidhet në kuadër të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Gjyqtarët dhe prokurorët serbë, si edhe punonjësit serbë të administratës në gjykatat dhe prokuroritë në katër komunat veriore të Kosovës kishin dhënë dorëheqje kolektivisht nga sistemi i drejtësisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj disa vendimeve që Qeveria e Kosovës i kishte marrë në përpjekje për mbrojtjen e rendit kushtetues të Kosovësn ë këtë pjesë të vendit.
Njëjtë kishin vepruar edhe zyrtarët serbë në këto komuna, të cilët kishin hequr dorë publikisht nga uniforma e Policisë së Kosovës.
(r.m.)