Prishtinë, 10 tetor 2025 – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) njoftoi të premten se së shpejti do ta dërgojë te Presidentja emrin e Albin Kurtit, mandatarit për formimin e qeverisë së re. Ajo tha se LVV-ja, si forcë politike në vend, është e interesuar që në qeverisje të përfshijë edhe ndonjë subjekt tjetër politik, por ka edhe vija të kuqe.
Albulena Haxhiu, deputete e LVV-së dhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës tha se kjo parti është e hapur për koalicion me të gjitha partitë parlamentare, me përjashtim të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listës Serbe.
“Ne do të fillojmë me procedurat për dërgimin e emrit të mandatarit tonë, kryeministrit Albin Kurti. Ne do t’i vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë nëse kanë vullnet të jenë pjesë e qeverisë”, tha Haxhiu në një konferencë për media, pas konstituimit të Kuvendit.
Haxhiu tha se LVV-ja është e hapur të bisedojë edhe me deputetë të grupeve tjera parlamentare apo të subjekteve tjera politike. Ajo konfirmoi se ka pasur përpjekje për formimin e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, si edhe me Nismën Socialdemkrate, por ato kanë përfunduar pa sukses.
LVV-ja, e cila i ka 48 ulëse në Kuvend, nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme për qeverisje pa një partner koalicioni. Sa dihet tash për tash, LVV-ja e ka mbështetjen e subjekteve politike të komuniteteve joserbe që kanë qenë pjesë e qeverisë në mandatin e kaluar, pork jo nuk mjafton për të siguruar së paku 61 vota në Kuvend.
Në rast se LVV-ja nuk arrin t’i sigurojë vota, brenda dhjetë ditësh, Presidentja e vendit Vjosa Osmani duhet t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për një mandatar tjetër që ka më shumë gjasa të sigurojë mbështetjen e së paku 61 deputetëve.
Procesit të formimit të qeverisë së re iu hap rrugë të premten, me përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Të premten, në seancën konstituive “maratonike” të Kuvendit, e cila ishte hapur qysh më 15 prill, Procesi i konstituimit u përmbyll me zgjedhjen e Nenad Rashiqit për nënkryetar të kuvendit nga komuniteti serb.
Rashiqi, deputet i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u propozua dhe u votua për nënkryetar, pasi asnjëri nga nëntë deputetët e Listës Serbe nuk e fitoi numrin e nevojshëm të votave.
(r.m.)