Haxhiu në takim me Ambasadorit Whitaker, e vlerëson mbështetjen e SHBA-së për Kosovën

Prishtinë, 21 prill 2026 – Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew G. Whitaker.

Presidenca, në një komunikatë për medie, njoftoi se në takim është diskutuar “për zhvillimet aktuale politike, sigurinë në rajonin tonë dhe rëndësinë e bashkërendimit të ngushtë ndërmjet aleatëve përballë sfidave të kohës sonë”.

“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kosovës ndër vite, si dhe vlerësimin për angazhimin e Ambasadorit Whitaker në forcimin e partneritetit tonë strategjik dhe sigurisë në rajon”, ka thënë Haxhiu.

Gjatë vizitës në Kosovë Përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-së në NATO do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti. 

Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s. SHBA e përkrah këtë aspiratë të Kosovës, por për anëtarësimin e saj në këtë aleancë duhet të pajtohen edhe katër shtete anëtare që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Kosova do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila është pjesë e Bordit të Paqes, të themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, me qëllim ruajtjen e paqes në botë.

Të hënë, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu, e autorizoi dërgimin e FSK-së në operacion ndërkombëtar paqeruajtës në Gazë. Ajo tha se Kosova, e cila dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, “tani merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare”.

(r.m.)

Comment

*