Prishtinë, 30 mars 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vazhdimi i seancë së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit do të thirret “kur të plotësohen kushtet”.
Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku nuk është diskutuar fare për procesin e zgjedhjes së presdidentit, ka thënë se për tejkalimin e situatës në të cilën gjendet ky proces subjektet politiker duhet të kenë vullnet.
“Në situatën aktuale, çka është e rëndësishme është vullneti, rruga për të arritur te zgjidhja. Sapo të ketë vullnet do të zgjidhet”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, e ka lënë të hapur mundësinë e tërheqjes së kandidatëve të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha – Kollçakut, si edhe mundësinë e propozimit të kandidatëve të tjerëe.
“Në këtë drejtim, as Kushtetuta, as ndonjë ligj, as Rregullorja e punës së Kuvendit nuk parasheh situata të ndalimit të tërheqjes – ose të kandidatit ose të nënshkrimeve – ose çka [ndodh] nëse shtohet edhe një kandidat, sepse mund të jenë katër kandidatë, duke pasur parasysh numrin e deputetëve”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka thënë se shpresën që liderët e partive politike të gjejnë zgjidhje dhe do të shmangin zgjedhjet.
“Siç u njoftua, kryeministri Kurti sot ka bërë të qartë që do të vazhdojë me ftesat për subjektet politike e grupet parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, uroj që këto debate, këto diskutime, këto takime të çojnë deri te një zgjidhje për çështjen e presidentit”, ka thënë Haxhiu.
“Është shumë e rëndësishme që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse kemi humbur shumë kohë dhe kemi shumë punë për të bërë. Prandaj uroj që këto diskutime, këto takime të sjellin rezultate konkrete dhe i ftoj të gjitha palët që të jenë seriozë”, ka shtuar ajo.
Sipas saj, është iluzore të pritet që zgjedhjet që do të mbaheshin së shpejti do të prodhonin rezultate të tjera prej atyre të 28 dhejtorit të vitit të kaluar.
“Qytetarët kanë votuar me 28 dhjetor. Kushdo që pret rezultat tjetër, mendoj që e ka gabim, sepse nuk ka kaluar kohë e gjatë nga dhjetori deri më tani”, është shprehur Haxhiu.
(r.m.)