Prishtinë, 9 shtator 2026 – Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës të mërkurën, në vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së re.
Haxhiu, e cila u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje, u zgjodh me 62 vota “për”, me 16 vota “kundër” dhe me 13 abstenime. Në momentin e votimit, në sallë ishin të pranishëm 102 deputetë, kurse 18 mungonin.
Zgjedhja e saj i hapi rrugë zgjedhjes së pesë nënkryetarëve të Kuvendit dhe seanca, udhëheqjen e së cilës e mori kryetarja e sapozgjedhur, Albulena Haxhiu, vazhdoi me paraqitjen e kandidatëve për pesë nënkryetarë të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Ardian Golën, Partia Demokratike e Kosovës Vlora Çitakun, Lidhja Demokratike e Kosovës Kujtim Shalën, Lista Serbe Sllavko Simiqin, ndërsa komunitetet joserbe e propozuan Emilia Rexhepin.
Pas paraqitjes së propozimeve, Haxhiu ftoi në konsultime për mënyrën e votimit shefat e grupeve parlamentare. Pas konsultës, ajo njoftoi se grupet parlamentare kanë mospajtime rreth mënyrës së votimit për nënkryetarët. Ajo tha se disa grupe parlamentare duan që për nënkryetarët të votohet në pako, kurse disa të tjerë duan që votimi të bëhet individualisht. Për këtë arsye, ajo e ndërpreu seancën dhe i ftoi për konsultime shtesë shefat e të gjitha grupeve parlamentare.
Haxhiu tha se ndërkohë do të konsultojë nga administrate e Kuvendit që të vlerësojë nëse formulimi i propozimit të Listës Serbe për kandidatin e saj për nënkryetar është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Prandaj edhe i ftoj grupet parlamentare që të vijnë në zyrën time. Në ndërkohë, kërkoj nga administrata e Kuvendit që të na njoftojë me formën e propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvend, në qoftë se është në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës apo jo. Pra, këtë konfirmim e marrim pas pak. Nëse nuk është në linjë me Kushtetutën, natyrisht që zbatohet rregullorja e Kuvendit’’, tha ajo.
Seanca vazhdoi pas më shumë se një ore. Kryetarja Haxhiu njoftoi se administrata e Kuvendit ka konstastuar se propozimi i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, ku u tha se propozimi bëhej “në emër të popullit serb” nuk është në linjë me Kushtetutën e Kosovës.
“Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës ka popullin e Kosovës”, tha Haxhiu dhe dhe kërkoi se nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, që ta tërhiqte formulimin “në emër të popullit serb” dhe propozimin ta paraqesë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Simiq e cilësoi reagimin e kryesueses si “lojë”. Ai tha se propozimin me të njëjtin formulim e kishte dërguar edhe me shkrim, më 6 gusht. Haxhiu reagoi sërisht dhe ia ndërpreu fjalën Simiqit, duke kërkuar përsëri që ai ta tërhiqte formulimin “në emër të popullit serb”, dhe të vazhdonte me propozimin për nënkryetar. Por Simiq refuzoi ta tërheqë këtë formulim.
“Unë jam pjesëtar i popullit serb dhe këtë të drejtë nuk mund të ma hiqni”, tha Simiq.
Haxhiu kërkoi sërish që atij t’i ndërpritej fjala.
“Rregullorja e Kuvendit parasheh saktë se cilat janë masat që duhet të ndërmerren ndaj deputetëve që përdorin gjuhë të tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ajo dhe njoftoi për ndërprerjen e seancës.
Por, ajo njoftoi se në takimin me shefat e grupeve parlamentare kishte konsstatuar se mes tyre kishte mospajtime edhe për dy kandidatë të tjerë për nënkryetarë të Kuvendit.
“Në atë takim, siç e kuptova unë, ishte e qartë se as propozimi i grupit parlamentar përkatësisht subjektit politik PDK, që ishte zonja Vlora Çitaku, dhe as propozimi i LDK-së, që ishte Kujtim Shala, nuk i kanë votat”, tha Haxhiu.
Pas ndërprerjes së seancës u bë e ditur se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin bërë të ditur se nuk do të votimonin për Çitakun dhe Shalën.
Tash për tash nuk u dhanë sqarime për çfarë arsyesh Lëvizja Vetëvendosje kundërshton zgjedhjen e Vlora Çitakut dhe Kujtim Shalës për nënkryetarë të Kuvendit.
(r.m.)