Tiranë, 23 mars 2026 – Gjykata e Posaçme, përmes një vendimi të firmosur më 19 mars, i ka dhënë leje SPAK-ut të këqyrë të gjithë celularët dhe pajisjet kompjuterike të sekuestruara, në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj ish-zëvendës kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, prokurorët e posaçëm i janë drejtuar gjykatës për të lejuar zbërthimin e të gjitha pajisjeve që u janë marrë personave nën hetim: ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, dhe ish-administratorit të KESH-it, Erald Elezi, por edhe të biznesmenëve Rrok Gjoka dhe Ilir Shtufi, si persona në dijeni.
Më herët zbërthimi i celularëve bëhej pa marrë miratimin e gjykatës, por me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, u krijua praktikë e re që prokurorët e SPAK-ut janë të detyruar të kalojnë filtrin e gjykatës në secalin rast.
Në rastin konkret, pasi ka marrë kërkesën e SPAK-ut për të lejuar hapjen dhe aksesimin e pajisjeve, gjyqtari Erjon Çela i ka njoftuar palët dhe i ka pranuar prapësimet e avokatëve të personave nën hetim dhe në dijeni, të cilët kanë kërkuar që të lejohet këqyrja e pajisjeve dhe marrja e të dhënave që lidhen me çështjen hetimore ndaj ish-numrit dy të qeverisë.
Gjykatësi Erjon Çela, pasi e ka shqyrtuar çështjen, e ka miratuar marrjen e të gjitha të dhënave, duke argumentuar se janë të dhëna me interes për hetimin. Të dhënat që do të nxirren nga telefonat apo lap-topët do të analizohen në harmoni me të dhënat e tjera të dosjes Balluku.
Ish-zv.kryeministrja po hetohet për paracaktim të procedurave tenderuese të rrugëve në vlera miliona euro.
Gjatë këqyrjes së telefonave të ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, i besuar i Ballukut, janë zbuluar mesazhe që, sipas SPAK-ut, tregojnë se Balluku ka ndikuar në paracaktimin e kompanive fituese për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe për të gjitha lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Po ndërsa Erjon Çela i ka ndezur dritën jeshile SPAK në drejtim të hetimeve, me shumë interes pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Berberit, i cili kërkon papërdorshmërinë e të dhënave që janë siguruar nga këqyrja e telefonave të tij celularë.
Shpallja e vendimit për këtë çështje nga Kushtetuesja u shty për shkak se një prej anëtarëve të saj ndodhej jashtë vendim. Seanca e radhës pritet të zhvillohet me datë 26 mars e me gjasë do të ketë edhe një vendim lidhur më këtë çështje, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në hetimet për dosjen Balluku.