Hetimet e nisura për një vrasje të vitit 2021 zbuluan se anëtarët e krimit të organizuar në zonën e Durrësit dhe Shijakut kanë grabitur qindramijëra metra katrorë tokë në Gjirin e Lalzit dhe Kepin e Rodonit, duke ndërhyrë në arkivën dhe në regjistrat e Kadastrës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 2 tetor rezultatet e një hetimi dyvjeçar ndaj disa anëtarëve të krimit të organizuar, të cilët akuzohen për një vrasje të ndodhur në vitin 2021 dhe grabitjen e qindramijëra metrave katrorë tokë në bregdetin e lakmuar të Gjirit të Lalzit përmes falsifikimit dhe korrupsionit.
Sipas njoftimit të SPAK, hetimet mundësuan zbardhjen e vrasjes për hakmarrje të 32-vjeçarit Edmir Bregu alias Ilir Kuçi, i cili u ekzekutua me rrebesh në Durrës në mbrëmjen të 24 janarit 2021. SPAK akuzon Astrit Avdylin, nipin e tij Aldo Avdyli si dhe Enea Kumen, vëllai i deputetit socialist të Durrësit, Loer Kume, për implikim në vrasje.
Deputeti Kume konfirmoi për TV Ora arrestimin e të vëllait, ndërsa shtoi se ai prezumohet ende i pafajshëm dhe se mban përgjegjësi për jetën e vet.
Sipas SPAK, gjatë hetimeve për vrasjen është zbuluar edhe një skemë grabitjeje e pronave në bregdetin e Durrësit nga anëtarë të krimit të organizuar. Si truri i këtij grupi të strukturuar kriminal akuzohet Aleksandër Laho, i njohur dhe me nofkën “Rrumi”, një prej personazheve kryesorë të krimit të organizuar në zonën e Durrësit dhe Shijakut.
“Mekanizmi i përdorur nga anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal përfshin falsifikimin e plotë të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), falsifikimin e pjesshëm të AMTP-ve origjinale, përmes shtimit të numrit të parcelave, prodhimin e dokumenteve të falsifikuara dhe futjen ilegalisht të tyre në arkivën e ish ZVRPP Durrës, duke i paraqitur si vendime të Komisionit të Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë Këshillit të Qarkut Durrës…,” thuhet në njoftimin e SPAK.
Tokat e tjetërsuara, sipas SPAK, ndodhen në Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj në zonat e Gjirit të Lalzit dhe Kepit të Rodonit, dy prej zonave turistike në Durrës. Prokuroria akuzon edhe vëllain e Rrumit, Vullnet Muça, për episodin e tokave.
Përveç futjes së dokumenteve të falsifikuara në arkivën e Kadastrës, ata akuzohen gjithashtu për heqjen e fletëve të regjistrave të kartelave të pasurisë në volum, ku kanë qenë të regjistruara prona të zërit kadastral “Pyll” dhe “Pa frut”, dhe i kanë zëvendësuar ato me fletët e reja të falsifikuara në formë dhe përmbajtje, ku pasqyronin të regjistruara pasuri të zërit kadastral “Arë”.
Pasuritë regjistroheshin në emrin e banorëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në shumicën e rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive.
SPAK vlerëson se të gjitha këto veprime janë kryer me qëllim realizimin e përfitimeve të paligjshme përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj, tek vendet e quajtura Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit.
Katër të hetuarit janë proceduar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Muça akuzohet dhe për “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, ekspertit apo përkthyesit”, kryer në bashëkpunim. SPAK ka proceduar dhe shtetasen E.A. për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer nga personi që ka pë detyrë të lëshojë dokumentin.
Përveçse shtetases E.A., për të cilën është caktuar masa e sigurimit personal “ndalim i daljes jashtë shtetit”, për të gjithë të proceduarit e tjerë është caktuar “arrest në burg”.
Është bërë e mundur të ekzekutohen masat për të hetuarit Astrit Balliu alias Avdyli, i cili gjendet në qeli në kuadër të një operacioni tjetër; Vullnet Muça; Enea Kume, shtetasi V.B dhe shtetasen E.A. Ndërsa personat e tjerë, mes të cilëve edhe Aleksandër Laho janë shpallur sërish në kërkim.
Sipas SPAK, është realizuar sekuestrimi preventiv i 11 pasurive me sipërfaqe totale 254 mijë 300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, në Durrës.
Në njoftim thuhet se në këtë hetim dhe zbatimin e masave kanë kontribuar Europol, Eurojust, autoritetet gjyqësore të Republikës së Francës dhe autoritetet ligjzbatuese të Belgjikës, Holandëse Gjermanisë.
Një hetim i mëparshëm i SPAK zbuloi se Laho korruptoi zyrtarin e Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, shumën 600 mijë lekë dhe i premtoi 300 mijë lekë më shumë, me qëllim që të mos ushtronte ankim për një çështje.
Përmes një investigimi të mëparshëm, BIRN ekspozoi përfshihjen e Lahos në një skemë masive të përvetësimit të pronave në bregdet përmes falsifikimit të dokumenteve dhe korruptimit të zyrtarëve vendorë.
Astrit Avdyli njihet si një nga krerët e grupit të Shijakut, i akuzuar më parë për blerje votash në favor të Partisë Socialiste sipas përgjimeve të dosjes së njohur me numrin 339.