Heusgen shpreson se në Mynih do të bëhet progres në lidhje me Kosovën

Mynih, 16 shkurt 2023 – Kryetari i Konferencës së Sigurisë në Mynih, Christoph Heusgen, tha se shpreson për një zgjidhje sa më të shpejtë të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është më urgjente se kurrë të gjejmë një zgjidhje”, tha ai për DW.

Heusgen tha se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

“Ne shpresojmë tani në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku kemi përfaqësues të Kosovës, ku kemi përfaqësues të Serbisë, ku kemi përfaqësues edhe të vendeve që po ndihmojnë për këtë konflikt, që të bëjmë progres. Unë besoj se çfarë ka rëndësi tani është që të zbatojmë me kujdes marrëveshjet e Brukselit, që janë bërë në të kaluarën. Sipas mendimit tim, është veçanërisht i rëndësishëm realizimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë”, tha Heusgen.

Konferenca e sivjetshme e Sigurisë në Mynih i fillon punimet të premten, më 17 shkurt, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Konferenca është një platformë për këmbimin e mendimeve mes krerëve të vendeve të ndryshme të botës për çështje aktuale të politikës globale.

Sivjet në këtë konferencë pritet të marrin pjesë rreth 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish, si edhe rreth 100 ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga vende të ndryshme të botës.

(r.m.)