Hill: Është e rëndësishme të trajtohen mangësitë në lidhje me zgjedhjet në Serbi

Beograd, 22 dhjetor 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka publikuar një video-mesazh, përmes të cilit ka thënë se vëzhguesit ndërkombëtarë, që ishin në Serbi gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit, zbuluan disa “mangësi”, dhe se është e rëndësishme që Serbia të punojë me ta dhe t’i zgjidhë këto çështje.

Në një postim të Ambasadës amerikane në platformën X, e njohur më parë si Twitter, Hill ka theksuar se zgjedhjet janë përçarëse, por se janë parakusht për demokracinë.

Ai ka thënë, gjithashtu, se Serbia duhet të ketë “një lloj qëndrueshmërie” që të mund “të rikuperohet nga këto momente” pas zgjedhjeve, kur pjesëmarrësit “nuk janë shumë të kënaqur me njëri-tjetrin”.

Siç ka theksuar ai, zgjedhjet janë një “stres test” për demokracinë, dhe kjo vlen për çdo vend.

Fundjavën e kaluar, Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, provinciale dhe lokale.

Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke pretenduar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) është rezultat i vjedhjes së votave.

Vëzhguesit e CRTA-së dhe përfaqësuesit e Zyrës Ndërkombëtare për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) vunë në dukje parregullsitë e zgjedhjeve në Serbi dhe cenimin e vullnetit elektoral të qytetarëve.

Në video-mesazhin e tij, Hill ka thënë, po ashtu, se qeveria amerikane pret vazhdimin e bashkëpunimit me qeverinë serbe për çështje me interes të përbashkët.

“Kjo, sigurisht, përfshin çështjet rajonale, por edhe dëshirën e Serbisë për t’u bërë plotësisht pjesë e familjes së kombeve perëndimore”, ka thënë Hill.

Ambasadori amerikan ka shtuar se Serbia duhet të punojë shumë për të qenë e gatshme për këtë rrugëtim, e një prej fushave ku duhet të angazhohet është sundimi i ligjit.

(REL)