Hill: Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet, nëse do anëtarësim në KE

Beograd, 30 mars 2024 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KE) në një mënyrë lidhet edhe me Marrëveshjen e Brukselit dhe me Aneksin e Ohrit.

Hill, në një intervistë për gazetën serbe “Blic, ka thënë se Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha obligimet që burojnë nga marrëveshja, duke theksuar se ky është qëndrimi i Uashingtonit.

“Pozicioni i Qeverisë sime është që Kosova duhet t’i përmbushë obligimet e veta me Marrëveshjen e Brukselit dhe nëse nuk i përmbush, sigurisht se e komplikon interesin e saj për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e organizatave tjera”, ka thënë ai.

Hill është shprehur i sigurt se Kosova do ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke e ciklësuar atë si “zgjidhje për të gjithë”.

“Asociacioni do të ndihmojë në tejkalimin e problemeve aktuale dhe vështirësive që ka komuniteti serb në Kosovë. Asociacioni është i nevojshëm për të ardhmen e Serbisë dhe, mendoj, për të ardhmen e Kosovës, kështu që besoj se do të ndodhë”, është shprehur ai.

(r.m.)