Hill: Ndjejmë keqardhje për humbje të jetëve, por procesi politik duhet të vazhdojë

Beograd, 26 shtator 2023 – Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e dënoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, të cilin e quajti si “ngjarje tragjike”dhe theksoi se, pavarësisht prej kësaj, procesi politik duhet të vazhdojë.

“Të gjithë duhet të dënojmë vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Gjithmonë ndjejmë keqardhje për humbje të jetëve. Por, duhet të vazhdojmë procesin politik. Tani po zhvillohet një proces për të vazhduar dialogun”, tha Hill, të martën, në Beograd.

Ambasadori Hill tha se procesi diplomatik “duhet të forcohet” në ditët dhe javët në vijim.

“Kjo situatë po trajtohet në mënyrë shumë serioze. Po vazhdojnë bidesimet për hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren”, shtoi ai.

Ambasadori Hill ai nuk tregoi se çfarë është diskutuar në takimin e përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të delegacionit të Bashkimit Evropian me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën.

Ndërkaq Vuçiq ka thënë se në takim me diplomatët e QUINT-it kishte kërkuar që misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, të marrë përsipër të gjitha çështjet e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës, i cili u kryer të dielën, më 24 shtator, në Banjskë të Zveçanit, nga një grup i armatosur dhe i përgatitur mirë. Autoritetet e Kosovës e  cilësuan sulmin si akt terrorist të organizuar e të mbështetur nga Beogradi, ndërsa Presidenti i Serbisë tha se pjesëtarët e grupit janë serbë të Kosovës të rebeluar kundër “terrorit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

(r.m.)