Hill: Serbia do ta kuptojë se nuk është në interesin e saj të jetë me “nënën Rusi“

Beograd, 19 tetor 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, tha se SHBA-ja ka mirëkuptim për pozicionin e Serbisë dhe për qëndrimin e saj ndaj sanksioneve kundër Rusisë, por Serbia duhet të vlerësojë mirë se në cilën anë mund t’i realizojë interesat e saj kombëtare.

Ambasadori Hill theksoi se është i bindur se, herët a vonë, Serbia do ta kuptojë se në interesin e saj është të jetë me Perëndimin dhe jo me Rusinë.

“Do ta paralajmëroja Serbinë që ta kuptojë se kjo nuk është ‘nëna Rusi’. Ne po përballemi me një Rusi, tjetër”, tha Hill, gjatë një interviste për Radiotelevizionin publik të Serbisë.

Hill tha se Serbia ka marrëdhënie të mira me Rusinë prej dekadash, por theksoi se tani bëhet fjalë për një Rusi krejt të ndryshme, për “një Rusi që sulmon brutalisht fqinjët e saj”.

“Serbia duhet të deklarohet për këtë”, tha Hill.

Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

“Nëse e shikoni Evropën, vetëm pak shtete, më duket vetëm Bjellorusia dhe Serbia, nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Çështja është nëse Serbia dëshiron të qëndrojë në këtë grup”, tha Hill.

“Shumë shtete kanë vendosur sanksione (ndaj Rusisë), ndonëse kanë pasoja nga kjo. Është pikëpyetje nëse sanksionet e tyre mund të kenë ndikim në sjelljen e Rusisë, por ato gjithsesi vendosën sanksionet, sepse e kuptojnë se duhet të jenë të bashkuar dhe të kundërshtojnë atë që po bën Rusia”, theksoi ambasadori amerikan.

Duke folur për çështjen e Kosovës, ambasadori Hill tha se e kupton që kjo është një çështje e madhe për popullin e Serbisë, por bëri thirrje që të vihen re dallimet midis situatës në Kosovë dhe situatës aktuale në Ukrainë.

“E kuptoj se kjo është çështje e madhe për popullin e Serbisë. Por, i bëj thirrje atij që ta kuptojë dallimin e madh midis kësaj çështjeje të vështirë dhe situatës aktuale, në të cilën kemi një fuqi të madhe që po sillet ndryshe dhe po tenton të marrë diçka që i përket fqinjit të saj. Dhe kjo është një situatë shumë e ndryshme”, theksoi Hill.

(r.m.)