Hagë, 12 nëntor 2025 – Ditën e tretë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në procesin gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ish-emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, diplomati në pension Christopher Hill, u përgjigj pyetjeve të trupit gjykues lidhur me hierarkinë dhe strukturën komanduese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si edhe për pozitën e të akuzuarve në hierarkinë e UÇK-së, me theks pozitën e Thaçit.
Hill: Nuk e dinim se kush ishte përgjegjës në UÇK
Trupi gjykues e pyetin Hillin se kush ishte përgjegjës në UÇK. Ai tha se ky ishte problemi, pasi amerikanët nuk gjenin një pikë kontakti të konfirmuar, për të cilin mund të komunikonin për të ardhmen.
“Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti me të cilin mund të komunikonim për të ardhmen”, tha Hill.
“Adem Demaçi fliste për rolin e tij në UÇK, por askush nuk na e konfirmoi këtë”, shtoi ai.
Hill tha se pavarësia e Kosovës ishte qëllim i të gjithëve.
Hill: S’e dinim kush i lëshonte komunikatat e UÇK-së
Hill u pyet edhe lidhur me komunikatat e lëshuara nga UÇK. Ai tha se nuk e dinte se kush i lëshonte komunikatat ku përmendeshin edhe emra të udhëheqësve, andaj tha se nuk e dinte nëse kjo organizatë kishte një strukturë.
“Nuk mund t’i përdornim komunikatat për të përcaktuar një strukturë bazë hierarkike”, tha ai.
Kur u pyet për drejtorinë politike të UÇK-së, Hill tha se kishte mësuar që Thaçi ishte pjesë e këtij organi, por nuk e dinte se kush përveç tij ishte pjesë e saj.
“Kishte shumë persona që nuk ishin në Qeveri apo në agjenci të tjera amerikane që përpiqeshin të mësonin se kush e udhëhiqte UÇK-në. Kur dilnin emra të rinj, ne interesoheshim. Njëri prej këtyre emrave ishte ai i drejtorit politik dhe ne ishim të interesuar të komunikonim me këtë person”, tha ai.
Hill: S’kam dëgjuar që Drejtoria Politike ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së
Christopher Hill tha se nuk kishte dëgjuar që Drejtoria Politike ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai tha se supozonte që kjo drejtori nuk kishte ndonjë rol në planin ushtarak.
“Supozimi ynë ishte që Shtabi i Përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej nga komandantë lokalë që ishin bashkuar në një moment dhe Drejtoria Politike ishte më shumë organi që merrej me botën e jashtme”, tha ai.
Sipas tij, personat që ishin pjesë e Drejtorisë Politike po tentonin të konsolidonin pozicionin e tyre, por nuk ishin pjesë e një strukture komanduese.
“Ideja që Drejtoria kishte ndonjë rol brenda Shtabit ishte diçka që personat brenda Drejtorisë, përfshirë Demaçin, ishte përpjekje për të treguar se ata ishin përgjegjës. Fakti që s’mund të gjenim një person që fliste në emër të të tjerëve, i konfirmoi dyshimet tona”, tha Hill.
Ai tha se kishte bërë disa udhëtime brenda Kosovës me qëllim që të gjente personin që mund të fliste në emër të UÇK-së. Ai tha se kishte shkuar edhe në Shqipëri për t’u takuar me Xhavit Halitin pasi disa persona në Qeverinë amerikane besonin se ai ishte personi përgjegjës.
Hill: Demaçi nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunohej
Trupi gjykues e pyeti Hillin për pozitën dhe rolin e Adem Demaçit. Në përgjigje të kësaj pyetjeje, ai e cilësoi Demaçin si person të papërshtatshëm për bashkëpunim.
“Ai nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje, të punoje në një dokument. Kishte opinione shumë të forta. Pra, në aspektin e bashkëpunimit ishte i vështirë dhe ne nuk ishim të interesuar ta promovonim atë si person”, tha Hill.
I pyetur nëse ishte kundër përfshirjes së Demaçit në delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Hill tha se nuk donte që ai të merrte rol udhëheqës.
“Në mungesë të komandës, kishte luftë mes njerëzve për pozicione. Ai mendonte se kishte vuajtur më shumë dhe mendonte se atij i takonte një rol udhëheqës. Unë nuk doja që ai të ishte personi që do ta konsolidonte këtë rol. Ky ishte shqetësimi im”, tha ai.
Hill: Isha i kënaqur që i gjithë delegacioni i Kosovës u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Kosovën në kohën e luftës u pyet edhe për Konferencën e Rambujesë. Ai tha se gjatë bisedimeve me anëtarë të delegacionit ishte optimist se Rambujeja do të funksiononte.
Hill tha se edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së se morën sinjale se e përkrahnin marrëveshjen, por kishin shqetësime se çfarë do të ndodhte në Serbi, pasi delegacioni i saj nuk e nënshkroi marrëveshjen.
Kur u pyet se kush e nënshkroi marrëveshjen, Hill tha se nuk i kujtohej.
“Ajo çfarë më kujtohet është se i gjithë delegacioni i Kosovës ishte dakord për marrëveshjen dhe ishin pozitivë për nënshkrimin e saj në Paris. Isha shumë i kënaqur që ndonëse nuk kishin pasur qasje të njëjtë, në atë moment ishin të gjithë të një mendjeje, ishin bashkë”, tha ai.
Hill tha se nënshkrimi i marrëveshjes nga delegacioni i Kosovës e rrëzoi tezën e Sllobodan Millosheviqit se “shqiptarët nuk pajtohen për asgjë”, pra marrëveshja ishte mesazh edhe për Millosheviqin.
“Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim sepse e arritëm marrëveshjen, por ti bën mirë të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, u shpreh Hill.
Hill: Millosheviqi mendonte se SHBA ne po hiqnim dorë nga Rugova dhe po e pranonim për partnere UÇK-në
Christopher Hill u pyet përse ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë takimit të tyre, e kishte përmendur me emër Hashim Thaçin. Ai tha se Millosheviqi mendonte se SHBA po e mënjanonte Rugovën dhe po e pranonte për partnere UÇK-në.
“Millosheviqi mendonte se ne po largoheshim nga [Ibrahim] Rugova dhe mendonte se ky ishte gabim i rëndë, sepse mendonte se atij i duhej të merrej me UÇK-në, e cila kishte qëndrim të ashpër”, tha ai.
Në këtë kontekst, Hill theksoi se Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por përpiqej të parandalonte luftën e armatosur.
“Millosheviq ishte i shqetësuar se ne do ta mënjanonim Rugovën dhe të zgjidhnim UÇK-në si partneren tonë. Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt. Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësia, por pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur”, u shpreh Hill.
Ai pohoi se një ndjesi të tillë kishin edhe të tjerë dhe se edhe brenda SHBA-së kishte njerëz që mendonin se duhet të komunikonim më shumë me UÇK-në.
Hill: Thaçi nuk ishte vendimmarrës
I fundit nga trupi gjykues që i parashtroi pyetje Hillit ishte gjykatës Christoph Barthe. Ai kërkoi nga Hilli të shpjegonte se si ishte e mundur që Thaçi, për të cilin Hill tha se nuk e dinte nëse ishte themelues i UÇK-së, të merrte një rol kaq të madh në Rambuje dhe më pas në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.
Hill tha se për këtë s’ka shpejgim, por mendon se Thaçi s’ishte vendimmarrës.
“S’kam shpjegim, por kam mendime. Në nga to është mbase se ai nuk ishte aq i fuqishëm sa shihej nga jashtë, sepse çdo vendim që e merrte ai ishte rezultat i shumë konsultimeve pararendëse. Përshtypja ime është se ai ishte një bashkëbisedues i besueshëm, por nuk ishte vendimmarrës. Kjo përshtypje kishte kuptim kur ai na tha se nuk mund të pajtohej lidhur me atë që ishte bërë në Rambuje dhe se nëse pajtohej pa u konsultuar do ta vrisnin kur të kthehej. Një vendimmarrës nuk e bën një koment të kësaj natyre. Unë e kam kuptuar se ai ishte i besuar për të mbledhur informacione. Atij i besohej të parashtronte argumentet e UÇK-së, por nuk ishte i besuar në vendimmarrje. Nuk i ishte lënë në dorë vendimmarrja”, tha Hill.
Pas përfundimit të dëshmisë së Hillit, e nisi dëshminë e tij Mike Durkee, i cili kishte qenë këshilltar politik për katër komandantë të NATO-s për Evropë (1993-2009) dhe këshilltar i gjeneralit amerikan, Wesley Clark në vitin 1999, i cili udhëhoqi fushatën e aleancës kundër caqeve serbe që çoi në çlirimin e Kosovës.
(r.m.)