Hiqen vizat për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen

Dita e parë e Vitit të Ri, për qytetarët e Kosovës shënon edhe ditën e parë të lirisë së udhëtimit pa viza në zonën Shengen.

Një proces ky i filluar në vitin 2016, mori fund sot. Kosova është vendi i fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që përfiton liberalizimin e vizave.

Disa qytetarë të cilët ishin fitues të një gare për udhëtim falas përmes një fushate informuese për rregullat e udhëtimit pa viza, u shprehën të lumtur për mundësitë e krijuara.

“Edhe si çdo qytetarë dhe si çdo njeri në botë që është i lirë edhe ne mendojmë që kemi merituar më herët mirëpo tash po ndihemi shumë mirë pasi kemi të drejtë me udhëtu edhe ne”, tha Habib Spahiu nga komuna e Rahovecit.

“Nuk është hera e parë (e udhëtimit), por pa viza tash shumë më lehtë, më mirë, pa shumë procedura, do të thotë më pak”, tha Adhurim Bajrami nga komuna e Vitisë.

Autoritetet në Kosovë thanë se dita e sotme i dha fund një padrejtësie ndaj qytetarëve të vendit.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se Viti i Ri po fillon mbarë me liri të lëvizjes. Ajo tha se me “përkushtim të palëkundur, populli i Kosovës dëshmoi se nuk dorëzohet dhe nuk heq dorë kurrë nga vendi i merituar në familjen evropiane”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili së bashku me ministren e jashtme Donika Gërvalla i përcolli qytetarët e parë që udhëtuan nga aeroporti i Prishtinës për në vendet e Bashkimit Evropian, tha se kjo ditë është e rëndësishme për qytetarët e vendit dhe shtetin në përgjithësi.

“Po hiqet një padrejtësi e madhe e po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në zonën Shengen. E bashkë me të po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë, me të cilën qytetarët tanë nga tash do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende më shumë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, krahas përfitimeve të përditshme, është forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Edhe Shqipëria përgëzoi Kosovën për përfshirje në regjimin e ri të udhëtimit.

Duke e vlerësuar këtë një arritje të merituar, por të vonuar, presidenti Bajram Begaj shfaqi shpresën se ky hap të përshpejtojë të gjithë procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Regjimi i udhëtimit pa viza nënkupton mundësi qëndrimi deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen, por nuk është leje pune.

Autoritetet në Kosovë kanë organizuar një fushatë disa javëshe për informimin e saktë të qytetarëve mbi lehtësitë dhe kufizimet që sjell liberalizimi i vizave

Sipas një anketimi të kryer nga gazeta online “Shengenvisa” me qytetarët e Kosovës thuhet se mbi 80 për qind e të anketuarve kanë plane udhëtimi për vitin 2024, pas liberalizimit të vizave, ndërsa destinacionet kryesore ishin Gjermania dhe Zvicra. Pjesa e mbetur prej 20 për qind e të anketuarve që janë të pavendosur ose nuk do të udhëtojnë në vitin 2024 përmendin arsye financiare për vendimin e tyre

Por, krahas dobive nga udhëtimi pa viza, bizneset në Kosovë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e largimit të fuqisë punëtore. (Leonat Shehu/Zëri i Amerikës)