Historia e çështjes së pronave të kontestuara të Manastirit të Deçanit

Nga KOHA

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e kishte përjashtuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit nga procesi gjyqësor për pronat e ish-ndërmarrjeve shoqërore “Iliria” dhe “Apiko”, të cilat iu dhanë Manastirit të Deçanit. Të drejtën e përfaqësimit në këtë rast ia kishte njohur AKM-së, ani se AKP-ja ishte trashëgimtare e saj. Në Gjykatën Supreme janë arsyetuar se atëkohë shumica e kolegjeve gjyqësore përbëheshin nga gjyqtarë të EULEX-it.

Një ujdi e vitit 2009 ndërmjet Manastirit të Deçanit dhe ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e përfaqësuar nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut ka rezultuar me dhënien e pronave të dy ish-ndërmarrjeve shoqërore “Iliria” dhe APIKO” Manastirit.

Në përgjigjet me shkrim të AKP-së thuhet se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme atë vit e kishte përjashtuar nga ky proces, duke ia njohur të drejtën e përfaqësimit vetëm AKM-së, ani se AKP-ja ishte trashëgimtare e saj.

“AKP ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi me deklarimin se pretendimet e Manastirit të Deçanit mbi pronësinë ishin bazuar në praktika diskriminuese dhe se AKM-ja nuk ishte e autorizuar e as kompetente që të përfaqësonte ndërmarrjet ‘APIKO’ dhe ‘Iliria’, ndërsa Dhoma e Panelit (shkalla e dytë) e ka refuzuar ankesën e AKP-së, duke u konsideruar si çështje të gjykuar, që do të thotë AKP nuk ka qenë palë në procedurë”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi.

Sipas tij, në maj 2009, trupi gjykues e kishte ftuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) që të merrte pjesë në procedurë si palë potencialisht e interesuar për shkak të ndonjë interesi eventual që mund të kishte në këtë rast.

“Më 19 maj 2009, në seancën e mbajtur, në prani të trupit gjykues, AKM-ja (e përfaqësuar nga Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut) dhe Manastiri i Deçanit e kishin nënshkruar një ujdi (e prezantuar në seancë), sipas së cilës paditësi (AKM) ia njeh të paditurit Manastirit të Deçanit pronësinë mbi ngastrat në fjalë në kontestin ndërmjet ‘Iliria’ dhe ‘APIKO’, ndërsa i padituri, Manastiri i Deçanit, në shenjë të vullnetit të mirë ia jep si dhuratë Komunës së Deçanit dy ngastrat e pronës së paluajtshme, të cilat gjendën në qendër të Deçanit”.

Sipas Kaloshit, marrëveshja ishte prezantuar në seancën gjyqësore që zhvillohej në Dhomën e Posaçme e arritur në mes Zyrës për Çështje Ligjore e UNMIK-ut dhe Manastirit të Deçanit.

“AKP ka paraqitur ankesë kundër këtij vendimi duke pretenduar se ishte e vetmja përfaqësuese e autorizuar e këtyre dy ndërmarrjeve shoqërore dhe se AKM-ja (e përfaqësuar nga Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut) nuk ishte e autorizuar. Mirëpo, më 24 korrik 2010, me vendimin nr. ASC-09-0025, Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme e pati hedhur poshtë ankesën e AKP-së dhe e pati konfirmuar vendimin e trupit gjykues, të 10 marsit 2009, përkitazi me konfirmimin se Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut kishte qëndrim ligjor në këtë rast si përfaqësuese e AKM-së”.

Në anën tjetër, në Gjykatën Supreme kanë thënë se në vitin 2009 shumica e kolegjeve gjyqësore të saj përbëheshin nga gjyqtarë ndërkombëtarë dhe se vendimmarrja ishte e tyre.

“Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka funksionuar dhe funksionon me ligj të veçantë.

Në vitin 2009, kolegjet gjyqësore të DHPGJS-së përbëheshin nga shumica e gjyqtarëve ndërkombëtarë të EULEX-it dhe vendimmarrja ishte e tyre. Gjykata nuk mund të komentojë veprimet ligjore që kanë ndodhur lidhur me AKP-në, e të cilat janë zhvilluar gjatë vitit 2009 e as të komentojë rreth përgjegjësisë së gjykatës për epilogun gjyqësor të rastit në fjalë, pasi me Kod të Etikës nuk komentohet për asnjë rast”, ka deklaruar Antigona Uka-Lutfiu, udhëheqëse e Zyrës për informim dhe komunikim me media në Gjykatën Supreme.

Një praktikë e tillë, sipas saj, ka ndodhur në disa raste të rralla të natyrës komplekse, gjatë vitit 2010, kur të dyja, AKM dhe AKP, kanë parashtruar parashtresa për përfaqësim të ndërrmarrjeve shoqërore.

“Ndërsa nga viti 2011 e këtej thonë se vetëm AKP-ja i ka përfaqësuar ndërmarrjet shoqërore në DHPGJS. Parashtresat për përfaqësim të paraqitura nga AKM-ja për këtë periudhë, në rastet kur ajo është paraqitur t’i përfaqësojë ndërrmarrjet shoqërore, janë hedhur poshtë si të papranueshme”, ka thënë Uka-Lutfiu. Në UNMIK nuk treguan arsyen e përfaqësimit të ndërmarrjeve shoqërore në proceset gjyqësore edhe pas funksionimit të AKP-së, por vetëm sugjeruan KOHËN që për çështjen në fjalë t’u referohet vendimeve gjyqësore.

Kronologjia e një procesi të gjatë gjyqësor

Megjithatë, çështja e pronave të këtyre ndërmarrjeve ka nisur shumë kohë më parë. Kronologjinë e kanë treguar zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit në përgjigjet me shkrim. Historia e këtyre pronave nis më 28 qershor 1946, ku, bazuar në paragrafin 2, neni 18 i Ligjit mbi Reformën Agrare dhe Kolonizimin të Brendshëm të Serbisë, “Këshilli Ekzekutiv Popullor i Rrethit për Kosovë e Metohi”, me seli në Prizren, i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë së atëhershme, nxori vendimin nr. 2649, duke ia shpronësuar Manastirit të Deçanit disa ngastra toke. Pas 51 vjetësh, më 5 nëntor 1997, Qeveria e Serbisë lidhi Marrëveshje mbi Dhurimin, nr. 04 nr. 464-2914-97, me Manastirin e Deçanit. Me këtë Marrëveshje mbi Dhurimin, një pjesë e tokës së konfiskuar iu kthye Manastirit të Deçanit dhe u regjistrua në kadastër me numër 464-2914/97. Procesi kishte rinisur edhe pas luftës së fundit, më 26 prill 2000, ku të dyja ndërmarrjet, “Iliria” dhe “APIKO”, ushtruan padi në Gjykatën Komunale në Deçan kundër Manastirit të Deçanit, Komunës së Deçanit, Republikës së Serbisë, duke kërkuar anulimin e Marrëveshjes së Dhurimit, të 5 nëntorit 1997.

Në AKP thonë se më 7 dhjetor 2007, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) parashtroi kërkesë për tërheqjen e rastit nga Gjykata Komunale në pajtim me nenin 4.5 të Rregullores së UNMIK-ut, nr. 2002/13, bazuar në juridiksionin ekskluziv të AKM-së mbi ndërmarrjet shoqërore dhe asetet e tyre.

“Në vitin 2008, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (Dhoma e Posaçme) i mori këto dy raste lidhur me pronën në fjalë. Njëri rast kishte të bënte me padinë e NSH ‘APIKO’, e përfaqësuar nga AKM-ja dhe parashtruar me numër SCC-08-0226. Rasti tjetër kishte të bënte me padinë e NSH ‘Iliria’, përfaqësuar nga AKM-ja dhe regjistruar me numër SCC-08-0227”, thuhet në përgjigjet e AKP-së. “Më 17 nëntor 2008, Dhoma e Posaçme mbajti seancat e para lidhur me këto dy raste: me AKM-në, që përfaqësonte palët ‘APIKO’ dhe ‘Iliria’ dhe Republikën e Serbisë, me Komunën e Deçanit dhe me Manastirin e Deçanit, që paraqitej si palë e paditur në të dy rastet. Më 24 nëntor 2008, në procedurat e Dhomës së Posaçme, AKM-ja paraqiti propozimin për përjashtimin e Republikës së Serbisë dhe të Komunës së Deçanit, si të paditur në procedurë. Komuna e Deçanit dhe Republika e Serbisë, që të dyja, u pajtuan me këtë përjashtim, duke lënë Manastirin e Deçanit si të vetmen palë të paditur”.

Komuna e Deçanit me parashtresë të veçantë kërkoi nga Dhoma e Posaçme që ta lejojë të jetë e përfshirë në të dy rastet, por kësaj radhe në anën e paditësit. Dhoma e Posaçme nuk e kishte pranuar këtë kërkesë dhe Komuna e Deçanit u hoq si palë nga procedura.

AKM-ja ia njihte të drejtën e pronës Manastirit

Sipas AKP-së, më 10 mars 2009, trupi gjykues i Dhomës së Posaçme (Trupi gjykues) vendosi në vendimin nr. SCC-06-0484, që: a) Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut e ka kapacitetin juridik në këtë rast si përfaqësues i AKM; dhe b) ajo ka të drejtën e vetme për të përfaqësuar interesat e Ilirisë dhe APIKO-s në Dhomën e Posaçme veçanërisht në këtë rast.

“Në maj 2009, trupi gjykues e ftoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) që të merrte pjesë në procedurë si palë potencialisht e interesuar për shkak të ndonjë interesi eventual që mund të kishte në këtë rast. Më 12 maj 2009, AKM-ja (e përfaqësuar nga Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut) paraqiti parashtresë lidhur me të dy rastet, SCC-08-0226 dhe SCC-08-0227, dhe bëri kërkesë për dëgjim”, thuhet tutje në përgjigjet e AKP-së. “Në parashtresë thuhej se AKM-ja pranonte që Manastiri i Deçanit kishte të drejta të plota të pronësisë mbi parcelat kadastrale kontestuese që gjendeshin në Zonën e Veçantë të Mbrojtur të krijuar me Vendim Ekzekutiv të UNMIK-ut nr. 2005/05 dhe se AKM-ja do të hiqte dorë, në emër të paditësve në rastet, nga çdo pretendim për të drejta pronësore që mund të kenë në raport me këto parcela. Trupi gjykues nuk pranoi këtë zgjidhje, pasi që nuk ishte në formën përkatëse të cilën e kërkonte trupi gjykues për vendimin e tij”.

Zyrtarët e AKP-së thonë se më 19 maj 2009, në seancën e mbajtur në të dy rastet, SCC-08-0226 dhe SCC-08-0227, në prani të trupit gjykues, AKM-ja (e përfaqësuar nga Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut) dhe Manastiri i Deçanit nënshkruan një ujdi sipas së cilës paditësi (AKM) ia njeh të paditurit Manastirit të Deçanit pronësinë mbi ngastrat në fjalë në kontestin ndërmjet ‘Iliria’ dhe ‘APIKO’. Më 23 janar 2013, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte paraqitur ankesë kundër këtij vendimi, duke pretenduar se ishte e vetmja përfaqësuese e autorizuar e këtyre dy ndërmarrjeve shoqërore dhe se AKM-ja (e përfaqësuar nga Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut) nuk ishte e autorizuar.

“Më 24 korrik 2010, me vendimin nr. ASC-09-0025, Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme (Kolegji i Apelit) hodhi poshtë ankesën e AKP-së dhe konfirmoi vendimin e trupit gjykues, të 10 marsit 2009, përkitazi me konfirmimin se Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut kishte qëndrim ligjor në këtë rast si përfaqësuese e AKM-së”, thuhet në përgjigjet e AKP-së.

Më 1 janar 2012 kishte hyrë në fuqi Ligji i ri nr. 04/L-033 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me të cilin ishin themeluar Kolegjet e Specializuara të Dhomës së Posaçme. Dy rastet në lidhje me këto prona iu caktuan Kolegjit të Specializuar për Kontest Pronësor të Dhomës së Posaçme (Kolegji Pronësor).

“Më 16 tetor 2012, në përputhje me kërkesën e Zyrës për Çështje Ligjore të UNMIK-ut dhe pas opinionit të Kolegjit të Ankesave, Kolegji Pronësor mbajti seancë. Palët, AKM-ja (e përfaqësuar nga Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut) dhe Manastiri i Deçanit, siç ishin përcaktuar në vendimin e Kolegjit të Apelit të 24 korrikut 2010, ishin të ftuara në këtë seancë. Palëve u ishte urdhëruar që Gjykatës t’i siguronin dokumentacion që do të konfirmonte autoritetin e tyre për të përfaqësuar palët në arritjen e ujdisë së pretenduar”.

Më 27 dhjetor 2012, sipas AKP-së, Kolegji Pronësor vendosi në dy aktgjykimet, nr. SCC-08-0226 dhe nr. SCC-08-0227, me tekst identik, me të cilin kërkesëpadia e “Iliria” dhe e “APIKO” ishte refuzuar si e pabazuar.

“Sa i përket pyetjes së palëve të autorizuara në procedurë, Kolegji Pronësor deklaroi: ‘Në një aktvendim tjetër të Kolegjit të Ankesave, datë 27 dhjetor 2011, lënda me nr. ASC-II-0038, në ankesën kundër aktvendimit të trupit gjykues të datës 9 shkurt 2011, në lëndët me nr. SCC-08-0226 dhe SCC-08-0227, është përsëritur se përfaqësimi i NSH-së nga AKM-ja dhe Zyra për Çështje Ligjore e UNMIK-ut është përfundimtar dhe si i tillë i detyrueshëm dhe se nuk mund të vihet në pikëpyetje më dhe bile të konsiderohet si res judicata nga Kolegji i Apelit’. Në kohën e lëshimit të atij aktvendimi, Ligji i ri mbi AKP-në nr. 04/L-034 veçse ishte në fuqi”, thuhet tutje në përgjigje.

Vendimi i Kushtetueses

Më 23 janar 2013, AKP-ja kishte ushtruar ankesë në Kolegjin e Apelit ndaj aktgjykimeve nr. SCC-08-0226 dhe nr. SCC-08-0227. Pas gjashtë ditësh ankesë ndaj aktgjykimeve kishte bërë edhe Komuna e Deçanit, e cila konsideronte të padrejtë përjashtimin nga kjo procedurë, pasi kishte pasur interes ligjor mbi pronën. Edhe AKP-ja, edhe Komuna theksonin se AKM-ja nuk ishte e autorizuar për të përfaqësuar ndërmarrjet.

“Në të gjitha përgjigjet e veta në këto tri ankesa, Manastiri i Deçanit ka përsëritur: (1) Vendimi për përfaqësuesit e autorizuar ishte vendosur në instancën e fundit dhe ishte çështje res judicata nga ana e Kolegjit të Ankesave; (2) Asnjë nga ankuesit nuk kishte të drejtë ankimi pasi që ata në instancën e fundit ishin deklaruar si persona të cilët nuk ishin të autorizuar në procedurë; dhe, (3) Kolegji i Apelit nuk kishte të drejtë të shqyrtonte parashtresat e tyre”.

Më 12 qershor 2015 Kolegji i Apelit nxori vendimin përfundimtar, nr. AC-1-13-0008 dhe nr. AC-1-13-0009, duke vendosur se ankesat janë të bazuara; Anulohen aktgjykimet e trupit gjykues, nr. SCC-08-0226 dhe nr. SCC-08-0227; Dhoma e Posaçme nuk është kompetente të gjykojë këtë padi; dhe padia kthehet për gjykim në Gjykatën Themelore në Pejë – Dega në Deçan.

“Sepse asnjëra nga palët e paditura në këtë rast nuk hyn në definicionin e palës së të paditurës të autorizuar në kërkesat para Dhomës së Posaçme, siç definohet me Rregulloren e UNMIK-ut 2002/13, e ndryshuar me Rregulloren e UNMIK-ut 2008/4. Në mënyrë të veçantë, Kolegji i Ankesave aplikoi një interpretim të ndryshëm të kuptimit të dispozitave që përmbajnë nenet 4 dhe 5 të Rregullores së UNMIK-ut 2002/13, si e ndryshuar, lidhur me atë se cilat palë mund të pranohen si ‘palë të paditura’ në kërkesat para Dhomës së  Posaçme”, kanë thënë në AKP. “Në bazë të këtij interpretimi të ndryshuar të ligjit, Kolegji i Apelit tani gjeti se vetëm një ndërmarrje shoqërore ose AKM-ja (ose më pas AKP-ja) mund të autorizohen të veprojnë si “palë të paditura” në rastet para Dhomës së Posaçme. Kolegji i Apelit vërejti se Manastiri i Deçanit është institucion i religjionit, përderisa Komuna e Deçanit dhe AKM-ja janë autoritete publike, andaj asnjëra prej tyre nuk mund të veprojë në cilësinë e ‘palës së paditur’ në procedurat para Dhomës së Posaçme. Me fjalë të tjera, vetëm kur Manastiri i Deçanit do të vepronte në cilësinë e ‘palës paditëse’, por jo edhe në cilësinë e ‘palës së paditur’, Dhoma e Posaçme do të mund të kishte juridiksion në këtë rast”.

Më 3 nëntor 2015, Manastiri i Deçanit kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (Gjykata Kushtetuese) me të cilën kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtyre dy vendimeve nr. AC-1-13-0008 dhe nr. AC-1-13-0009, të Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Më 20 maj 2016, Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin KI 132/15, me shumicë votash kishte vendosur se dy vendimet e Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për Çështje që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 12 qershorit 2015, nr. AC-I-13-0008 dhe nr. AC-I-13-0009, janë të pavlefshme dhe se dy vendimet e Kolegjit të Specializuar për Pronësinë të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështjet që Lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të 27 dhjetorit 2012, nr. SCC-08-0226 dhe nr. SCC-08-0227 janë përfundimtare të detyrueshme dhe si të tilla janë resjudicata.

Procesi gjyqësor rreth këtyre pronave kishte nisur në vitin 2000 me padinë e ushtruar nga dy ish-ndërmarrjet shoqërore “Iliria” dhe APIKO” ndaj Manastirit të Deçanit dhe ishte përmbyllur pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh në Kushtetuese. Por, vendimi që ishte në favor të Manastirit nuk ishte zbatuar deri në mars të këtij viti. Kryeministri Albin Kurti, që nga mbledhja e Qeverisë kërkoi zbatimin e vendimit nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, tha se janë detyruar ta ndërmarrin këtë hap si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por tash shtetet si SHBA-ja, Franca e Gjermania ia kanë vënë Kosovës kushtin e ri, dërgimin në Kushtetuese të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe e që është refuzuar nga Kurti.