Fjalim në Promovimin e Librit të z.Ekrem Bardha, “E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora” 23 maj 2025, Kisha “Shën Pali”, Michigan – SHBA
Nga Ambasador Flamur Gashi

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë,
Të nderuar përfaqësues të besimeve fetare,
Të nderuar përfaqësues të mërgatës shqiptare,
Miq e kolegë,
Zonja dhe zotërinj,
Vëllezër dhe motra,
I nderuari Fran Gjoka, organizator i kësaj mbrëmjeje,
E nderuara familja Bardha,
I nderuar dhe i dashur, z.Ekrem Bardha
Është një nder dhe përgjegjësi e madhe për mua të flas sot para jush, në këtë promovim të jashtëzakonshëm, i cili nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një akt simbolik – një përulje para jetës, veprës dhe përkushtimit të një njeriu, siç është, z.Ekrem Bardha.
Në këtë libër që promovojmë sot, “E VËRTETA: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, ne nuk kemi përpara një autobiografi të zakonshme, por kemi një dokument historik.
Një dëshmi jetësore që lidh përvojën personale me fatin kolektiv të një kombi. Kemi përpara nesh një libër që mund të lexohet si atlas i sakrificave, hartë e përpjekjeve dhe testament shpirtëror për lirinë e një populli.
I. Historia që rrëfehet me zë të fortë
Që në faqet e para të librit, ku z. Bardha përshkruan ikjen nga Shqipëria komuniste, njeriu kupton se ky rrëfim nuk është udhë personale, por një shteg që e kanë ndjekur shumë shqiptarë të përndjekur në Shqipërinë komuniste por edhe në Kosovë dhe trojet e pushtuara shqiptare nën ish Jugosllavi.
Ajo që e dallon z. Bardha nga të tjerët është se ai e ktheu përvojën e tij në një motor të veprimit, në një mision të përjetshëm për të qenë zëri i atyre që nuk mund të flisnin dot.
Ky libër nuk është një përpjekje për të glorifikuar një jetë të suksesshme në emigrim. Është një përpjekje për të rrëfyer para kombit: se çfarë mund të bëjë një individ, një qytetar, një shqiptar me vetëdije kombëtare, kur nuk e harron kurrë se nga ka ardhur dhe për çfarë lufton.
II. Amerika dhe shqiptaria – një aleancë e shenjtë
Një nga boshtet qendrore të librit është raporti i z. Bardha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – vendin që i hapi dyert si refugjat, por që ai e bëri pjesë të idealit të tij patriotik.
Në çdo faqe te librit ne ndjejmë respektin e tij të thellë për vlerat amerikane – lirinë, demokracinë, të drejtën për të jetuar me dinjitet – por në të njëjtën kohë, ai nuk e ka parë Amerikën vetëm si strehë, por si partner në përmbushjen e një misioni kombëtar.
Nëpërmjet kontakteve me shtatë presidentë amerikanë, dhe shumë kongresmenë e senatorë, si dhe drejtues të tjerë ushtarak e politik në SHBA, z. Bardha krijoi një rrjet të fuqishëm mbështetjeje për Kosovën. Ai ishte një “ambasador informal” i shqiptarëve, një njeri që me përulësi, por me këmbëngulje, shkoi derë më derë për të kërkuar drejtësi, jo për vete, por për një popull të shtypur dhe të robëruar.
III. MËRGATA shqiptare në SHBA – Forca e heshtur e çështjes shqiptare, një ushtri pa armë, por me vizion të qartë
Një tjetër vlerë madhore e këtij libri është se ai i jep zë një aktori shpesh të anashkaluar në histori: Mërgatës shqiptare në SHBA – kësaj Force te heshtur te çështjes shqiptare, kësaj ushtrie pa armë, por me vizion të qartë.
Në faqet e librit përshkruhen me detaje mobilizimet, protestat, lobimet, kontaktet me senatorë e kongresmenë. Dhe në qendër të kësaj vale përkushtimi, qëndron vetë z. Bardha – si një figurë bashkuese, si një strateg që e dinte mirë se opinioni ndërkombëtar nuk formësohet vetëm në terren, por edhe në tryeza, në salla kongresi, në media.
Kur Kosova përjetonte tmerrin e luftës, kur shtypja serbe arrinte kulmin, mërgata nuk qëndroi indiferente. Falë figurave si Ekrem Bardha, ajo u shndërrua në një ndërgjegje të gjallë, në një mbështetje konkrete që u shtri nga ndihmat financiare, deri tek përfaqësimi politik, por edhe pjesëmarrja me armë në dorë për lirinë e Kosovës.
Nëse z. Bardha do të kishte zgjedhur të shijonte suksesin e tij në SHBA si biznesmen i suksesshëm, askush nuk do ta kishte gjykuar. Por ai zgjodhi diçka edhe më të vështirë – zgjodhi të bëhet urë lidhëse mes shqiptarëve dhe Amerikës, mes një kombi të shtypur dhe një superfuqie botërore.
Ai nuk e harroi kurrë se ishte nga Kolonja e Korçë, dhe ai nuk nuk e harroi kurrë Kosovën. Në fakt, e bëri Kosovën pjesë të përditshmërisë së tij – në biseda, në lobime, në organizime, në çdo hap të tijin. E pa çlirimin e Kosovës si mision personal dhe i vuri të gjitha energjitë në shërbim të këtij ideali.
Në këtë libër, që nuk është thjesht autobiografi, por dokument historik, ne lexojmë përpjekjet e një individi që nuk e shihte veten si të ndarë nga fati i kombit. Dhe ky individ vjen nga një vend i thellë i Shqipërisë jugore – nga qyteti i Ersekës – por zemra dhe vepra e tij rrahin për të gjithë shqiptarët, pa dallim treve, krahine, besimi fetar apo dialekti.
Z. Bardha, ndonëse lindur në jug të Shqipërisë, shpreh gjithmonë një dashuri të thellë, të sinqertë e të pazëvendësueshme për veriun e trojeve shqiptare, për Kosovën dhe më gjerë. Ai është mishërimi i atij ideali të madh të bashkimit kombëtar që nuk njeh kufij gjeografikë, por njeh vetëm një gjuhë – gjuhën e përkushtimit ndaj kombit.
Z.Bardha nuk ishte i vetëm në këtë rrugëtim. Përkrah tij, vepruan dhe kontribuuan edhe shumë figura të shquara të mërgatës shqiptare në SHBA, të cilët sidomos që nga vitet ’80 e deri më sot kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme për kauzën e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe për projektin e bashkimit kombëtar shqiptar.
Kjo mërgatë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte përkrahësja me e madhe e liderit historik të Kosovës, Presidentit dr.Ibrahim Rugova dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte palca e shtyllës kurrizore të rezistencës kombëtare!
Koha nuk na lejon t’i përmendim të gjithëve me emër, dhe me siguri do bëja gabim dhe do të leja pa përmendur shumë emra meritor dhe kontribuues të mëdhenj të çështjes kombëtare nga mërgata jonë në SHBA, pasi ata janë të shumtë, ata përfaqësojnë ndërgjegjen kolektive të një mërgate që ndonëse fizikisht larg, ka qenë gjithmonë afër me shpirt e zemër. Ata janë dëshmi se mërgata nuk është vetëm një komunitet që dërgon remitanca (para), por një faktor strategjik në diplomacinë kombëtare shqiptare.
Përulje dhe respekt për të gjithë mërgatën kombëtare shqiptare në SHBA, dhe sidomos për ata që kontribuar dhe dhanë çdo gjë të tyre për çështjen tonë kombëtare, duke lënë rehatin e tyre në Amerikë dhe duke shkuar për të luftuar me armë në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
IV. “Illyria” – fjalët që bënë dallimin
Në vitin 1991, patrioti Harry Bajraktar themeloi gazetën “Illyria”, një akt që më shumë se sa një sipërmarrje mediatike, ishte një lëvizje strategjike. “Illyria” u bë më shumë se një gazetë – ishte një tribunë kombëtare në zemër të Amerikës. Ajo informoi, ndërgjegjësoi, mobilizoi dhe përçoi të vërtetën per Kosoven dhe mbi Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kohën e izolimit të Kosovës, gazeta “Illyria” ishte si drita që ndriçonte tunelin. Ishte media që nuk mbante anë politike, por mbante anën e kombit.
Z. Bardha e kuptoi herët se fjala ka fuqi. Se opinioni publik amerikan formësohet nga faktet, nga rrëfimet njerëzore, nga vërtetësia. Dhe ai zgjodhi ta ushqente atë opinion me të vërtetën e shqiptarëve – përmes këtij mediumi që vazhdoi ta drejtoi me përgjegjësi të lartë qytetare dhe në shërbim të kombit për rreth tetë vite, në kohën kur Kosova ishte në luftë dhe pastaj në liri (1998-2006), kur Kosova akoma kishte nevojë për përkrahje, për njohjen e pavarësisë së saj nga SHBA dhe shtetet e tjera të botës. Që nga koha e Harry Bajtaktarit, Ekrem Bardhës dhe Vehbi Bajramt, gazeta “Illyria” u bë zëri i arsyes së Kosovës në SHBA.
V. Ky libër – Frymëzim për brezat e rinj
Ky libër nuk është vetëm për historianët, studiuesit apo politikanët. Ky libër është një pasqyrë që duhet të mbahet në bibliotekat e çdo të riu shqiptar dhe familje shqiptare.
Ai është një dëshmi e qartë se suksesi personal nuk ka vlerë nëse nuk përkthehet në shërbim për bashkësinë, për kombin tënd.
Është një leksion për idealizëm, për përkushtim, për modestinë me të cilën duhet ti shërbesh kombit pa kërkuar asgjë në këmbim.
Le ta lexojnë këtë libër brezat e rinj dhe le të kuptojnë se kombi ynë ka pasur njerëz të jashtëzakonshëm.
Le ta kuptojmë se nuk ka nevojë për tituj zyrtarë që të ndryshosh rrjedhën e historisë – mjafton vullneti, vizioni, ndershmëria dhe atdhedashuria.
Në një botë ku ndonjëherë vlerat relativizohen, ku interesat personale mbizotërojnë mbi interesat kombëtare, figura si Ekrem Bardha janë të rralla. Por janë të domosdoshme. Sepse na kujtojnë se ideali nuk është një fjalë e zbrazët. Se patriotizmi nuk është retorikë, por punë konkrete, e përditshme. Se përkushtimi ndaj kombit nuk matet me fjalë, por me vepra.
Le të mos harrojmë se ky libër është dëshmi e veprave, është një frymëzim edhe për mërgatën për sot!
VI. Nderim dhe thirrje
Të nderuar të pranishëm,
Sot nuk po promovojmë vetëm një libër, por po nderojmë një jetë të tërë në shërbim të kombit. Një jetë që është model për të gjithë ne.
I themi faleminderit z.Ekrem Bardha për guximin, vizionin, këmbënguljen dhe besimin se një popull mund të jetë i lirë nëse ka bij si ai.
Le të marrim frymëzim nga kjo vepër.
Le të kujtojmë se pavarësia është e shenjtë, por është edhe një detyrë.
Le të mos harrojmë së historia e një kombi nuk shkruhet vetëm nga politikanët, por edhe nga qytetarët që nuk dorëzohen kurrë.
Të dashur miq,
Ishte një nder dhe përgjegjësi që të flisja sot para jush në këtë promovim që përmbledh më shumë se një jetë – përmbledh një epokë.
Një epokë sakrifice, përpjekjeje, bashkimi dhe mbi të gjitha – një epokë lirie. E gjitha kjo e mishëruar në një njeri, z.Ekrem Bardha.
Në këtë moment solemn, le të bëjmë një thirrje të ndershme dhe të sinqertë, por të domosdoshme, ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës:
Është koha që puna, përkushtimi dhe sakrifica e mërgatës shqiptare, të mos mbesin vetëm në faqe librash dhe fjalimesh. Ato duhet të gdhenden në kujtesën institucionale të shtetit.
Emra si Ekrem Bardha, Harry Bajraktari, Jim Xhema, Jozef Dioguardi, Din Derti, Bruno Selimaj dhe shumë e shumë të tjerë, meritojnë të përjetësohen në rrugë, sheshe e monumente publike në Kosovë.
Ata janë pjesë e historisë sonë. Ata janë dëshmitarë dhe kontribuues të drejtpërdrejtë të lirisë sonë.
Kosova duhet të ndërtojë një Memorial Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, që jo vetëm të nderojë këto figura, por të frymëzojë brezat që vijnë qe të kuptojnë se liria është produkt i një përpjekjeje kolektive që nuk njeh kufij.
VII. Përmbyllje – Një thirrje për bashkim dhe për përgjegjësi
Vëllezër dhe motra,
Sot nuk promovojmë vetëm një libër, por një ndërgjegje. Një vepër jetësore të një njeriu që u bë shtyllë për lirinë. Një shqiptar që bëri shumëçka për ne dhe për kombin tonë.
Nëse duam të nderojmë Ekrem Bardhën me të vërtetë, nuk mjafton vetëm duartrokitja. Duhet të bëjmë tonën filozofinë e tij: punën e heshtur, përkushtimin pa kushte, unitetin pa paragjykime.
Le të mos harrojmë se beteja për lirinë nuk mbaron me pavarësinë. Ajo vazhdon çdo ditë – për drejtësi, për demokraci, për mirëqenie, për vlera, dhe mbi të gjitha për bashkim kombëtar.
Kosova dhe kombi shqiptar ka djem dhe vajza si Ekrem Bardha me shokë dhe bashkëveprimtar.
Le të jemi bij të denjë të kësaj historie, të këtij kombi krenar.
Zoti e bekoftë Amerikën!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!
Zoti i dhentë jetë të gjatë dhe të lumtur z. Ekrem Bardha!
Faleminderit!
Famur GASHI
Ambasador