Historia tronditëse e një familjeje që mbijetoi zjarret në Havai

Uashington, 14 gusht 2023 – Numri i viktimave nga zjarret në Havai arriti në 96 ndërsa Guvernatori Josh Green njoftoi se qyteti historik Lahaina është shkatërruar pothuajse plotësisht. Vlerësimet paraprake sipas Guvernatorit Green tregojnë se dëmi i shkaktuar është 5.6 miliardë dollarë, ndërsa 2700 objekte janë shkrumbuar. Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të gjetur personat e zhdukur, të mbijetuarit po tregojnë histori të tmerrshme të mbijetesës nga zjarret që ua ndryshuan jetën përgjithmonë.

38 vjeçarja Akanesi Vaa, e cila ka regjistruar me telefon celular pamje të tmerrshme të zjarreve, tregon historinë tronditëse se si ajo dhe familja e saj mezi arritën t’u shpëtojnë flakëve të zjarrit që përhapeshin me shpejtësi në qytetin e tyre.

“Vetëm nga zona e parkimit deri në hyrje të kompleksit tonë të apartamenteve, qielli e ndryshoi ngjyrën nga blu në gri dhe më pas në të zezë dhe gjithçka që shehnim ishte prush nga zjarri dhe ne nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte. Nuk pati asnjë sirenë, asnjë paralajmërim. Të thyhej zemra të shihj komunitetin tonë, fqinjët e mi shumë të moshuar, që përpiqeshin të zbrisnin shkallët për të hipur në makinat e tyre”, thotë zonja ajo.

Zonja Vaa nuk është e vetmja që thotë se nuk kishte asnjë paralajmërim për zjarret. Për Guvernatorin e Havait, numri i madh i viktimave dhe shkatërrimi masiv erdhi si pasojë e përhapjes së zjarreve me shpejtësi nga erërat e fuqishme.

“Informacioni që kemi është se të martën kur shpërtheu zjarri, kishte disa vatra në të gjithë Mauin. Një zjarr u konsiderua i fikur, por duket se kjo u kuptua gabimisht, pasi kur erërat arritën shpejtësinë 130 km në orë, zjarri u përhap me shpejtësi duke rezultuar në këtë tragjedi, ndërsa digjeshin mbi 1.5 km për çdo minutë. Ky nivel shkatërrimi në këtë stuhi zjarri, diçka e re kjo për ne në këtë epokë të ngrohjes globale, ishte arsyeja përfundimtare pse kaq shumë njerëz humbën jetën”, thotë Guvernatori Josh Green.

Duke treguar videot dhe fotografitë që ka bërë me telefonin e saj, zonja Akanesi Va tregon momentin kur ajo, së bashku me bashkëshortin LJ, dhe fëmijet të moshave nga 9 deri në 15 vjeç u detyruan të dalin nga makina pasi temperaturat brenda u bënë të padurueshme.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. E ndjenim nxehtësinë ndërsa ishim të ulur në makinë dhe papritmas dëgjoj një goditje në dritaren e një makine tjetër dhe shoh një gjyshe që po bërtiste për ndihmë. Ajo më thotë, të lutem më ndihmo. E kishte edhe një fëmijë aty. I thashë burrit: ‘Ti ndihmo gjyshen”, kurse unë vrapova tek makina e saj, e hapa pjesën e pasme dhe e mora fëmijën. Ajo ishte rreth dy vjeçe e gjysmë, ndoshta tre vjeç”, thotë e mbijetuara, Akanesi Vaa.

Ajo u rikthye te vendi ku shpëtuan gjyshen me vajzën e vogël, duke parë se si makina e tyre ishte bërë shkrumb e hi.

“Kjo është makina prej së cilës e nxorrëm fëmijën. Më pas vrapuam në këtë rrugë, në errësirë, nuk arrinim të shihnim asgjë. Këtu kishte një gardh, ne arritëm të mbroheshim nga flakët, duke qëndruar të mbledhur tek nje mur aty pranë”, thotë zonja Vaa.

Ajo tregon se aty i takoi 9 fqinjë të saj dhe më pas e kuptuan se ndodheshin në një rrugë që nuk kishte dalje.

“Aty e shikup me njëri-tjetrin dhe djali im më pyeti: ‘Mami, a është ky fundi ynë?’. Çfarë mund t’u thuash fëmijëve në ato momente? Burri im tha: ‘Nëse ky është fundi, e falënderoj Zotin për familjen që më dha’”, tregon zonja Vaa me lot në sy, derisa i kujton momentet e rënda duke ikur nga zjarret.

Sipas Guvernatorit të Havait, Josh Green, zjarret shkatërruan 2700 struktura, kryesisht objekte banimi, ndërsa vlerësimet fillestare sipas tij tregojnë se dëmi kap vlerën prej 5.6 miliardë dollarëve.

“Ky zjarr filloi më 8 gusht, të martën vonë. Rezultati është shkatërrimi i qytetit Lahaina. Kam shkuar aty dy herë dhe mund t’iu them se shumë pak ka shpëtuar. Mbi 2,700 struktura u shkatërruan në Lahaina dhe vlerësimi paraprak tregon se dëmi kap vlerën prej 5.6 miliardë dollarësh. Kryesisht ka njerëz që vuajnë dhe ne vazhdojmë të punojmë për t’i gjetur të mbijetuarit”, thotë Guvernatori Green.

“Shpresa ime është që Lahaina të rindërtohet ashtu siç ishte dhe të mos shndërrohet në një resort korporatash, ku ka vetëm hotele. Ne e dimë se nuk do t’i kthejmë të gjitha ndërtesat e vjetra. Ne nuk do t’i kthejmë të gjitha monumentet historike të Lahainas. Por çfarëdo që ne mund të shpëtojmë, mendoj se kjo është ajo që njerëzit duan. Ata duan që të mbetet më e mira e asaj që të kujton Lahainan e vjetër”, thotë i mbijetuari i zjarreve, LJ Vaa.

Deri sa të vijë koha për të rifilluar rindërtimin e Lahainas, Guvernatori Green thotë se përpjekjet momentalisht po bëhen për të gjetur të mbijetuar të tjerë. Fatkeqësisht thotë ai, ekipet e shpëtimit e dinë se ndërsa shkojnë shtëpi më shtëpi të rrafshuara me tokë, së shpejti do të duhet të ndajnë lajmin e trishtë se numri i viktimave po vazhdon të rritet.

(Zëri i Amerikës)