“HISTORIJA E POPULLIT SHQIPTAR” – NJË BOTIM QË DUHET LEXUAR NGA TË GJITHË

LEONORA LAÇI

NEW YORK

Nuk ke nevojë të shfletosh arkivat e huaja për të njohur historinë e Shqipërisë, mjafton të lexosh këtë libër dhe ke për të njohur si në një enciklopedi të shkuarën tonë.

Historija e Popullit Shqiptar nga At Paulin Margjokaj, O.FM,

Biblioteka Françeskane At Gjergj Fishta boton vazhdimisht dorëshkrime të autorve franceskanë duke pasuruar bibliotekat tona me botime te vlefshme mbi historinë e popullit shqiptar.

Ky botim vjen i përkthyer nga gjermanishtja dhe përgatitet për botim nga Prof. Asoc. Dr .Edomond Malaj, në vitin 2023, shtypet në Shtypshkronjën Volaj në Shkodër. Dhe libri fillon me një falenderim për dashamirësin e veprës së At Paulin Margjokaj O.FM, studiues që kontribuoi në botimin e këtij librit, por jo vetëm të këtij por dhe shumë të tjera botime At Paulin Margjokaj, z.Tomë Mrijaj, i cili sponsorizoi.

Botimi është i përbërë nga tre kapituj; Shqipnija në lashtësi, Shqipnija mesjetare dhe Shqipnija nën sundimin turk.

Siç e thotë dhe në parathënie se qëllimi i këtij libri asht me sjellë shekujt e harruem të këtij populli të vogël te lexuesi i mesëm, i cili nuk ka kohë për studimin e historisë të Shqipnisë së Vogël.

Kapitulli i parë na njeh me qyteterimet e lashta nga veriu në jug,  për të kaluar më pas tek  sistemi hidrik, tek lumejt e liqejt dhe emertimet e tyre të vjetra, rrugët po ashtu zënë një hapësirë në këtë botim pasi normalisht ato janë urë lidhëse mes vendesh siç ishte Rruga Egnatia, rruga që lidhte lindjen me perendimin. Patër Paulini na jep të dhënat për emërtimin Alban-Albania dhe transformimet e saj duke kaluar nga historia tek gjuhësia dhe kuptimi i termit shqiptar për të vazhduar me lashtësinë e gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj.

Të gjitha të dhënat në libër përmbajnë burimin dhe studimet mbi të cilat ai ka punuar dhe përmenden autorët më në zë shqiptarë e të huaj që kanë shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gama e gjërë e botimeve që ai na sjellë nga autorë të huaj është shumë e gjërë dhe që rrahin mendime të ndryshme. Ka mbi 80 botime të përdorura në këtë pjesë të parë.

Ai ndalet tek hipotezat dhe faktet e origjinës së popullsisë shqiptare, a jemi autokton apo jo, a është origjina jonë pellazge?! E për të vazhduar me shtegtimet nëpër vende të ndryshme të popullsisë ilire, dhe gjetja  e gjurmëve ilire në vende të tjera.

Përhapja e krishtërimit në Shqipëri është një tjetër temë me rëndësi të veçantë dha autori bënë një përmbledhje të të dhënave të para për gjurmët e krishtërimit në tokën tonë si dhe përhapjen e tij në hapësirë dhe kohë.

Zhvillimet në mesjetë, pushtimet e ndryshme të territoreve tona e përbëjnë këtë epokë të errët për nga zhvillimi. Një fakt interesant përmendet që:”Në vjetin 1285 e ka origjinën dhe përmendja e parë e gjuëhs arbnore(shqipe): “ndigjova nji za në mal qi po thërriste në gjiuhën arbore”, ky rast ndodhi në Raguzë, në një territor sot të pastër sllav. Në lidhje me gjuhën, që në vjetin 1308 nji auktor anonim tue përshkrue vendin, thotë qi”Arbnit kanë gjuhë qi dallohet prej latinëve, grekëve dhe sllavëve, e kështu nuk merren vesh për asgja me kombet e tjera.”(faqe 134-135).  Po ashtu At Margjokaj ndalet edhe tek Arbnit i cili thotë se:-Tek hymja e Arbënve në histori na vejmë oroe edhe nji tipar të randësishëm të qenies së tyne. Ky tipar asht  mercenarizmi, i cili e kishte karakterizue gjithmonë ket popull në mënyrë të vecantë. Ma tej do t’vejmë oroe qi arbënit hyjnë në histori jo si komb, por si nji grup farafisesh, per të cilët ndjenja e përkatësisë te njani-tjetri ishte e huaj.(faqe 135-136).

Për të kaluar tek periudha e Gjergj Kastriotit, më pas pushtimi osman, emigrimet e shqiptarëve, dhe islamizimi i Shqipnisë ku shkruan se: “Kshtu pra këtyne të dhanave, në vitet mbas 1640 i kthyn shpinën besimit katolik shumë lokalitete e u suellën kah Islami(fq 230). Ky botim përfshin edhe dokumentimet e para të gjuhës shqipe që fillon me Formulën e Pagëzimit shkruar nga Kryeipeshkvi i Durrësit Pal Ejlli, në vitin 1462, kjo letër baritore u nënshkrua në Kishën e Shën Trinisë në Mat, pas një udhëtimi vizitues ipeshkvnor.

Përmenden edhe Bushatlijt, Ali Pashë Tepelena, shqiptarët në shërbim të vendeve të tjera, luftëtarë për lirinë e Greqisë,  katolikët shqiptarë nën kulturprotektoratin e Austrisë, Shqipëria në aspektin ekonomik dhe potenciali i saj.

Pra siç shihet tematikat janë gjithë përfshirëse dhe na bënë një tablo të një periudhe të gjatë kohore.

Studimi i tij ka versionet që kanë hapur shumë diskutime mes historianëve dhe ende diskutimet vazhdojnë, sepse historia nuk është një shkencë që është e pandryshueshme, faktet historike që mund të gjenden kohë pas kohe dhe  munden të ndryshojnë faktet që ne kemi deri më tani. Pater Paulini në këtë botim mundohet në mos mbaj anë por të jetë një studiues gjakftohtë dhe i mbështetur në fakte.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të shtjellojë botimin por të informoi lexuesin për rëndësinë e tij, që në vetëm 406 faqe njohin Shqipërinë në disa periudha historike.