Homazhe në Nju Jork, për policin e rënë gjatë detyrës në Kosovë, Afrim Bunjaku

Nga Beqir SINA

Video link: https://www.youtube.com/live/DqNOD45d8Zo?si=ALfgRea3-LhOJO-3

Dhjetëra shqiptarë u mblodhën në sheshin “Dag Hammarskjold Plaza” para ndërtesës së OKB-së, duke ndezur qirinj e vendosur lule në kujtim të Afrim Bunjakut, efektivit të policisë së Kosovës, që humbi jetën gjatë sulmit terrorist ndaj rajonit të policisë në Leposaviq të Kosovës.

I pranishëm në këto homazhe ishte dhe ambasadori i Kosovës Blerim Reka, – Konsulli i Përgjithshëm në New York, së bashku me diplomatët e tjerë të kësaj zyre diplomatike, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në OKB, Ambasador Ferit Hoxha dhe zëvendës Ambasadorja Albana Dautllari.

Po ashtu edhe Kryetari Këshillit Koordinues të Diasporës zoti Mark Gjonaj, së bashku me disa udhëheqës të shoqatave dhe organizatave të komunitetit nga zona e Tri-Shteshit.

Ky homazh u sponsorizua nga Këshilli Shqiptaro Amerikan në New Jersey. 

Gjatë ndezjes së qirijeve dhe vendosjes e luleve disa nga pjesëmarrësit në homazhe mbanin edhe flamurin e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe fotografi te policit të vrarë Afrim Bunjaku, me anëtarët e familjes së tij. Në njërën anë të posterit, ku ndizeshin qirinjë dhe vendoseshin lule, ishte vendosur edhe busti i Heroit tonë Kombëtar Gjergji – Kastrioti Skënderbeu.

Duke ndezur një qiri në ceremoninë e sotme të vigjilencës, Djellza Pulatani, e cila është Themeluese e organizatës “The F’Oda Summit”, një nismë për fuqizimin e vajzave, e cila filloi në fillim të këtij viti në Kosovë, tha: “Sulmi ndaj çdo shqiptari është sulm ndaj të gjithëve. Ne duhet të bashkohemi për t’u solidarizuar kundër një dhune të tillë dhe për të dënuar veprimet e terroristëve serbë.”

Homazhi në kujtim të policit të vrarë Afrim Bunjaku u mbyll me një minutë heshtje.