Prishtinë, 29 qershor 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se letra e tetë senatorëve amerikanë drejtuar presidentit amerikan, Joe Biden, lidhur me situatën e tensionuar në veri të Kosovës shpreh edhe shqetësimin për mospërmbushjen e kërkesave të ShBA-së për shtensionimin e situatës.
“Letra do të duhej të jetë shkak për shqetësim për të gjithë ne dhe mendoj se ajo i pasqyron jo vetëm pikëpamjet e senatorëve, por edhe të një numri të zyrtarëve amerikanë, përfshirë edhe të atyre brenda administratës së Bidenit. Jemi të shqetësuar. Jemi partneri më i ngushtë i Kosovës dhe përkushtimi i popullit amerikan ndaj vetë Kosovës dhe popullit të Kosovës mbetet po aq i qëndrueshëm si gjithmonë”, ka thënë ambasadori Hovenier, në emisionin “Rubikon” në televizionin Klan Kosova.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të ShBA-së për disa veprime specifike për shtensionim të situatës.
“I kemi kërkuar Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë disa veprime specifike për të ndihmuar në zbutjen e situatës në veri, për të ndihmuar që të ecim përpara për të mirën e Kosovës dhe të stabilitetit rajonal. Dhe jemi të shqetësuar që Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj këtyre kërkesave”, ka thënë Hovenier.
Ai ka thënë se të njëjtat kërkesa i kanë edhe shtetet tjera mike të Kosovës, dhe ka theksuar se është i habitur që Kosova ende nuk ka përgjigje pozitive për to.
“Të gjitha vendet dhe institucionet që kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës, të gjitha po i kërkojnë Kosovës, kësaj qeverie, që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe të zbatojë këtë planin trepikësh të BE-së. Jemi të habitur, e kemi të vështirë të kuptojmë përse nuk ka përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, ka thënë ai.
Ambasadori Hovenier ka thënë se ShBA-ja do të vazhdojë partneritetin me Kosovën, pavarësisht dallimeve me Qeverinë. Ai ka thënë se ky partneritet do të manifestohet edhe në festimet e sivjetme të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së ShBA-së,
“Qeveria e ShBA-së dhe qeveria aktuale e Kosovës i kanë disa dallime, të cilat nuk do të duhej t’i zvogëlojë apo t’i injorojë, por kjo nuk do të thotë që nuk i kemi të njëjtat objektiva strategjike dhe nuk do të thotë që nuk mund të bëhemi bashkë për të festuar përvjetorin e 247-të të nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së ShBA-së, gjë që do ta bëjmë me kënaqësi”, ka thënë Hovenier.
Ai ka treguar se në manifestimet për 4 Korrikun janë ftuar të marrin pjesë edhe udhëheqësit e institucioneve shtetërore.
“I kemi ftuar mysafirët e zakonshëm dhe e mirëpresim mundësinë për t’i pritur ata. Por, më duhet të them dhe është me rëndësi të vihet në pah se do të kremtojmë së bashku”, ka thënë ambasadori i ShBA-së në Kosovë.
(r.m.)