Hovenier: Nuk kemi qenë të njoftuar paraprakisht për rregulloren e BQK-së

Prishtinë, 6 shkurt 2024 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Uashingtoni nuk ka qenë i informuar paraprakisht për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin vetëm të valutës euro për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

Ai ka thënë se Uashingtoni do të ishte i gatshëm që me Qeverinë e Kosovës të diskutonte për sfidat që do të prodhonte kjo rrefullore.

“Nëse Qeveria ka qenë e shqetësuar për shkak të automjeteve të blinduara që kanë sjellë shuma të mëdha të parave të gatshme dhe ka dashur të gjejë mënyra alternative për ta bërë këtë që do të ishte më pak të cenueshme, me shumë dëshirë do të kishim biseduar për ato çështje. Nuk besoj se ka pasur bisedime të tilla”, ka thënë Hovenier, në një intervistë për RTV21.

Hovenier ka përsëritur se SHBA-ja nuk e konteston autoritetin e Qeverisë së Kosovës, por është e shqetësuar që ajo nuk po e merr parasysh ndikimin që mund tëq ketë kjo rrergullore te komuniteti serb në Kosovë.

“Jemi të shqetësuar për shkak të mënyrës se si Kosova synon ta zbatojë atë që mendojmë se nuk PO E merr parasysh ndikimin që do të ketë në komunitetin e cenueshëm”, ka thënë ai.

Hovenier ka përsëritur gjithashtu se SHBA-ja kërkon shtyrrje të zbatimit të rregullores, për të zbutur efektet negative te serbët që pranojnë pagesa në dinarë të Serbisë.

“Kërkesa e SHBA-së drejtuar Qeverisë së Kosovës është e qartë: shtyrje e zbatimit të vendimit derisa të hartohet një strategji e mirë për të zbutur efektet mbi popullatën e cenueshme, për popullatën etnike serbe në Kosovë, si edhe një plan i mirë të informimit publik”, është shprehur ai.

Ambasadori amerikan ka paralajmëruar edhe një herë se shpërfillja e sugjerimit të SHBA-së mund të ketë pasoja “në cilësinë e partneritetit” mes dy verndeve, por nuk ka thënë se çfarë pasojash mund të ketë Kosova.

I pyetur nëse nga kjo situatë mund të preket kërkesa e Kosovës për blerje  armësh nga SHBA-ja, Hovenier ka thënë se SHBA-ja mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës, si në aspektin e trajnimit ashtu edhe të pajisjeve.

Sidoqoftë, ai ka thënë se pret forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Pres nga Qeveria e Kosovës që të punojë me ne për të përmirësuar dhe forcuar partneritetin tonë”, ka thënë a Hovenier.

Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht shqetësimeve të ndërkombëtarëve për ndikimet që mund të ketë te komuniteti serb, pasi që kjo rregullore pamundëson kryerjen e pagesave me para të gatshme me dinarë serbë.

(r.m.)