Hovenier: SHBA dënon djegien e veturave në veri, Qeveria të mbrojë qytetarët e saj

Prishtinë, 2 prill 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se SHBA-të e dënojnë djegien e veturave me targa legale të Kosovës, në pjesën veriore të vendit.

Ambasadori Hovenier, përmes një postimi në TWitter, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi t’i mbrojë qytetarët e saj.

“SHBA-të vazhdimisht e kanë dënuar djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale”, thuhet në postimin e ambasadorit Hovenier.

Ky është reagimi i dytë i ambasadorit Hovenier në dy ditët e fundit. Natën mes të premtes e të shtunës, në pjesën veriore të Kosovës u dogjën dy vetura, kurse gjatë natës mes të shtunës e të dielës u dogjën edhe tri vetura të tjera.

Policia e Kosovës njoftoi se një serb i dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të saj dhe për djegien e dy veturave në Zubin Potok është arrestuar të shtunën në Mitrovicën Veriore.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi zyrtar, e ka cilësuar arrestimin si provokim për serbët e Kosovës dhe ka paralajmëruar “kryengritjen” e tyre nëse nuk lirohet i arrestuari.

Lista Serbe nuk ka reaguar fare ndaj djegies së veturave me targa të Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.   

Në këtë pjesë të Kosovës, deri më sot, janë djegur 10 vetura me targa legale të Kosovës, RKS.

(r.m.)