Hovenier: SHBA do të jetë me popullin e Kosovës, pavarësisht shqetësimeve për disa zgjidhje politike të Qeverisë Kurti

Prishtinë, 15 korrik 2024 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, konfirmoi edhe një herë të hënën se SHBA “ka qenë, është dhe do të jetë me popullin e Kosovës, pavarësisht shqetësimeve të saj dhe partnerët e saj lidhur me disa zgjidhje politike të Qeverisë aktuale të Kosovës.

“Ka shumë njerëz të cilët kalojnë shumë kohë duke u brengosur për këtë çështje. Do ta them atë që e them gjithmonë. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm, është i hekurt gjithmonë. Kemi qenë, jemi dhe do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet të pajtohemi me çdo zgjidhje të bërë nga cilado Qeveri e Kosovës. Nuk është secret se qeveria ime, bashkë me disa prej partnerëve me të cilët punojmë – Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë e Bashkimin Evropian – kemi shqetësime për disa zgjidhje politike që i ka bërë Qeveria Kurti”, u shpreh ambasadori Hovenier të hënën në Gjakovë.

Ambasadori amerikan foli edhe mbi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarfuar për Medie, të cilët  pritën me kritika të ashpra nga opozita, nga ekspertët dhe nga shoqëria civile. Ai bëri të diturse lidhur me këto dy ligje ka biseduar me zyrtarët e qeverisë dhe theksoi se qeveria duhet të sigurohet që të gjitha ligjet e Kosovës të jenë në përputhje me standardet evropiane.

“Kam pasur rastin që me zyrtarët e qeverisë të bisedoj lidhur me këtë çështje. Dua të them se e kuptoj që ka shqetësime se a janë apo jo këto ligje në përputhje me standardet evropiane. Këshilla e Qeverisë Amerikane për Qeverinë e Kosovës është gjithmonë e njëjta: të sigurohen që ligjet që miratohen në Kuvend të jenë në përputhje me standardet evropiane, sepse ne konsiderojmë se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian një ditë”, theksoi ai.

Ambasadori Hovenier i bëri këto komente gjatë një takimi me gazetarë në Gjakovë, bashkë me kryetarin e komunës Ardian Gjini.

(r.m.)