Hovenier: Të nisin urgjentisht negociatat për Asociacionin

Prishtinë, 9 nëntor 2022 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Duhet të ketë në tryezë një propozim për Asociacionin”, tha Hovenier në një takim me gazetarët në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Ai theksoi se asociacioni nuk duhet të jetë diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Hovenier po ashtu i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Për më tepër, tha ai, Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që vozisin makina me targa të tilla.

Hovenier tha se e ka kërkuar një gjë të tillë direkt nga Qeveria.

I pyetur nëse ajo u është përgjigjur kërkesave të tij, Hovenier tha:

“Mendoj se ju e dini, ashtu sikurse unë, se si po u përgjigjet Qeveria kërkesave aktualisht. Por, unë jam diplomat, dhe kjo do të thotë se unë gjithmonë kërkoj rrugë pozitive përpara. Më duhet të besoj se mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara, që është në interes të të gjithëve dhe në interes të paqes dhe sigurisë”.

Ai tha se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Qeverinë e Kosovës, por shtoi se “nuk mund të konfirmoj se Qeveria ka ndërmarrë veprimet që ia kemi kërkuar”.

Hovenier theksoi se nga këndvështrimi i SHBA-së, Qeveria e Kosovës ka të drejtë në zbatimin e planit të saj, por, sipas tij, ekzistojnë “shqetësime reale për mënyrën e zbatimit”.

Ai foli edhe për situatën aktuale në pjesën veriore të Kosovës.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, tha ai dh shtoi se atje “ka “potencial për eskalim të situatës”.

I pyetur lidhur me shkrimet e disa mediave se ministres së Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, i është refuzuar viza për një vizitë zyrtare në SHBA, Hovenier tha se nuk sheh ndonjë rrethanë për diçka të tillë. Por, ai theksoi se tani nuk është koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në SHBA.

“Jemi shumë të fokusuar në këtë krizë. Ne besojmë se kjo Qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë, kështu që kjo nuk është koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në SHBA për takime zyrtare, duke marrë parasysh krizat që duhet të trajtohen këtu. Këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në Qeveri”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan tha gjithashtu se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb dhe shfaqi shpresën se serbët do të kthehen në institucionet e Kosovës.

“Shpresojmë që kjo gjë të jetë e përkohshme”, tha Hovenier, duke komentuar dorëheqjet e zyrtarëve serbë.

“Ne besojmë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale”, shtoi ai.

Ambasadori Hovenier nuk deshi të komentonte për propozimin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Pres me padurim kohën kur mund t’u kthehemi bisedave në nivel strategjik rreth propozimit për normalizimin (e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë)”, tha ai.

(REL)