Hovenier: Veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës dëmtuan marrëdhënit SHBA-Kosovë

Prishtinë, 30 maj 2023 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një takim me gazetarë në Prishtinë, ka thënë se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, të cilat kanë çuar në ngritjen e tensioneve në veri, kanë ndikime edhe në marrëniet e SHBA-së me Kosovën.

Ai e ka cituar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili ka thënë se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës janë duke ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, ka thënë Hovenier.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, ka shtuar ai.

Ambasadori amerikan ka thënë se për shkak të tensioneve në veri janë anuluar aktvitetet e stërvitjeve shumëkombëshe “Defender Europe ’23” në Kosovë.

“Sot nuk ka pasur aktivitete të Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”, është shprehur ai.

Hovenier ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet që ka ndërmarrë të premten në tri komunat veriore të Kosovës – Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Hovenier ka thënë se Kryeministri të Kosovës Albin Kurti nuk i ka dëgjuar as sugjerimet e SHBA-së për të marrë hapa për uljen e tensioneve. Prandaj, SHBA-ja po shqyrton veprimet e saj.

“Ne i kemi kërkuar z. Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona”, ka thënë ai.

Hovenier ka bërë tëë qartë se SHBA-të kanë dy kërkesa të qarta për Qeverinë e Kosovës: t’i tërheqë kryetarët e rinj të komunave nga ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok dhe t’i tërheqë forcat policore nga këto tri ndërtesa.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, ka thënë ai.

“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, ka thënë ai.

Hovenierit ka theksuar se këto dy vendime të Qeverisë Kurti do të ndihmojnë në ulje të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka theksuar se ulja e tensioneve do të mundësojë kthimin e vëmendjes te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Ambasadori amerikan është pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë përbën kërcënim për Kosovën.

“Kurrë nuk është shenjë e mirë kur shtetet fqinje që kanë marrëdhënie të tensionuara i mobilizojnë forcat e tyre”, ka thënë ai.

Por, ka theksuar se është Qeveria e Kosovës ajo që ka krijuar krizë në pjesën veriore të Kosovës, gjë që duhet të adresohet.

“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan është pyetur nëse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministri Kurti kanë qëndrime të njëjta apo të ndyshme lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ai ka thënë se nuk i takon atij të flasë për dinamikat brenda institucioneve të Kosovës, por ka kujtuar se Presidentja Osmani e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë të Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, veçanti me Shtetet e Bashkuara.

“Besoj se kjo është diçka që ajo (Presidentja Osmani) e trajton me seriozitet”,  ka thënë Hovenier.

Tërheqjen e kryetarëve të rinjë të komunave nga ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok dhe tërheqjen e forcave policore nga këto ndërtesa e kanë kërkuar edhe vendet tjera të QUINT-it, si edhe Bashkimi Evropian dhe NATO.

Këto dy kërkesa janë shtruar si kusht për ndërprerjen e protestave të serbëve para ndërtesave të komunave në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok. Ato janë artikuluar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe nga liderët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila është formuae dhe kontrollohet nga Beogradi.

Protestat e serbëve para këtyre tri ndërtesave të komunave në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok kanë vazhduar edhe të martën, por pjesëmarrja në to ka qenë dukshëm më e  vogël se të hënën.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, të martën kishte shtuar forcat dhe protesta ka përfunduar pa ndonjë incident të rëndë.

Të hënën, protestuesit në Zveçan kanë sulmuar pjesëtarët e KFOR-it në perimetrin e sigurisë së ndërtesës komunale. 30 pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur gjatë sulmeve me gurë e mjete tjera të forta, me shishe çelçi dhe me koktej molotovi. KFOR-I bëri të ditur se ushtarë kanë marrë plagë nga armë zjarri.

(r.m.)