Tiranë, 19 mars 2026 – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Ferit Hoxha, njoftoi se sot ka zhvilluar një telefonatë me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Në një postim në platformën X, ministri Hoxha ka ritheksuar se “Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës sonë të jashtme”.
“Pata sot një bisedë shumë të ngrohtë dhe miqësore me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Rikonfirmuam marrëdhënien tonë vëllazërore, lidhjen e veçantë e të patjetërsueshme mes dy vendeve tona, dhe ritheksova se #Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës sonë të jashtme. Ndamë angazhim për thellimin e mëtejshëm të #partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, ka shkruar Hoxha.
Ai e ka cilësuar heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Europian si një hap të rëndësishëm që krijon një moment të ri dhe shumë premtues në marrëdhëniet Kosovë–BE,
“Vlerësova zhvillimet e fundit, përfshirë heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Europian si një hap të rëndësishëm që krijon një moment të ri dhe shumë premtues në marrëdhëniet Kosovë–BE, me bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë në rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka shtuar ai.
Ministri Hoxha ka thënë se Shqipëria do ta mbështesë forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“U dakorduam mbi nevojën për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe për avancimin e projekteve madhore me interes kombëtar, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, siguria dhe diplomacia.
E sigurova z. Konjufca për mbështetjen tonë të palëkundur në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si për sa i përket zgjerimit të gjeografisë së njohjes, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ashtu edhe për përparimin e proceseve të saj integruese europiane dhe euroatlantike”, ka shkruar ministri Hoxha.
“#Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, sot dhe gjithmonë. Në këtë frymë, rikonfirmova gatishmërinë time dhe të Ministrisë për një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në funksion të avancimit të objektivave të përbashkëta.
#Shqipëria dhe #Kosova do të vijojnë të qëndrojnë krah për krah, me një vizion të përbashkët për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të së ardhmes europiane dhe euroatlantike të rajonit”, ka theksuar shefi i diplomacisë së Shqipërisë.
(r.m.)