Antalya, 18 prill 2026 – Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili po merr pjesë në forumin diplomatik qnë Antalya, në Turqi, ka njoftuar se atje është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq.
Hoxha, në një postim në rrejete sociale, ka treguar se ai dhe Gjuriq janë pajtuar se Shqipëria dhe Serbia kanë qëndrime “thellësisht të ndryshme” për Kosovën.
“… pranuam se kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Ai ka përsëritur se Shqipëria e mbështet dialogun Kosovë – Serbi duke theksuar se njohja e ndërsjellë do të kontribuonte në paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon
“Ritheksova qëndrimin e qartë dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë mbi rëndësinë kyçe dhe mbështetjen tonë të plotë për dialogun Kosovë–Serbi të lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë, një rezultat që do të kontribuonte në paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, ka thënѱ ai.
Hoxha ka treguar se në takim është biseduar për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit, me qëllim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare”.
Ai ka bërë të ditur se Gjuriq ka shprehur gatishmërinë e Serbisë për hapjen e konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc.
Postimi i plotë i ministrit Hoxha:
Sot, u takova me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Đurić, në kuadër të #ADF2026.
Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit, me qëllim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke njohur rëndësinë e tyre në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe stabilitetit rajonal. Në këtë drejtim, vlerësova gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc.
Theksova domosdoshmërinë për të ruajtur, zhvilluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke shmangur retorikën e pajustifikuar dhe të panevojshme. Shqipëria ka zgjedhur të investojë në qartësinë e qëndrimeve të saj dhe në qëndrueshmërinë e politikës së jashtme, si dhe në kontaktet ndërmjet njerëzve dhe në kultivimin e një brezi të ri me një mendësi të fortë evropiane.
Po ashtu, pranuam se kemi qëndrime thelbësisht të ndryshme lidhur me Republikën e Kosovës. Ritheksova qëndrimin e qartë dhe të qëndrueshëm të Shqipërisë mbi rëndësinë kyçe dhe mbështetjen tonë të plotë për dialogun Kosovë–Serbi të lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë, një rezultat që do të kontribuonte në paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.
(r.m.)