HRANA: Të paktën 2.403 të vdekur në protestat antiqeveritare në Iran

Uashington, 14 janar 2026 – Numri i të vdekurve nga protestat në Iran ka arritur në 2.403, njoftoi HRANA, grupi për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

“Sa i përket humbjeve njerëzore, është konfirmuar vdekja e 2,403 protestuesve. Midis të vrarëv, janë regjistruar 12 fëmijë (nën 18 vjeç). Përveç kësaj, midis të vdekurve ishin nëntë civilë, as personel ushtarak as protestues. Nga ana tjetër, janë vrarë 147 anëtarë të forcave të sigurisë dhe mbështetës të qeverisë, përfshirë edhe të paktën pesë civilë mbështetës të qeverisë”, thuhet në raportin e HRANA.

Ndërkaq, një zyrtar iranian tha të martën se rreth 2.000 persona janë vrarë gjatë protestave 17 ditore. Kjo ishte hera e parë që autoritetet iraniane japin një shifër të viktimave në protestat mbarëkombëtare.

Në raportin e grupit HRANA thuhet se deri më tani është konfirmuar se 1,134 persona janë plagosur, ndërsa 18,434 persona janë arrestuar nga forcat e sigurisë.

“Lidhur me arrestimet, është konfirmuar ndalimi i 18,434 personave. Në të njëjtën kohë, janë transmetuar 97 raste të rrëfimeve të detyruara dhe janë raportuar 1,134 persona me lëndime të rënda”, thuhet në raport.

Raportimet nga Irani tregojnë se numri i të vrarëve, të të plagosurve dhe të të arrestuarve vazhdon të rritet nga çasti në çast, duke qenë se udhëheqësit klerikë të Iranit po ndërmarrin masa brutale për ta shtypur valën më të madhe të protestave antiqeveritare ndër vite.

Sipas informacioneve të grupit HRANA, përkundër shtypjes brutale nga forcat e sigurisë, anembanë Iranit kanë vazhduar protestat antiqeveritare.

“Sipas të dhënave të përmbledhura të HRANA-s, deri në fund të ditës së shtatëmbëdhjetë janë regjistruar gjithsej 614 tubime proteste në mbarë vendin. Protesta u zhvilluan në 187 qytete të 31 provincave të vendit.

Brutaliteti i regjimit teokratik të Iranit ndaj protestuesve ka nxitur thirrjet për ndërhyrje nga SHBA-ja. Presidenti amerikan, Donald Trump, u bëri thirrje iranianëve t’i vazhdojnë protestat, duke u premtuar se do t’u dalë në ndihmë.

I pyetur se çfarë nënkuptonte kur tha se “ndihma po vjen”, Trump u tha gazetarëve se ata do të duhej ta kuptonin vetë.

Trump ka deklaruar se veprimi ushtarak është ndër mundësitë që është duke i shqyrtuar për ta ndëshkuar Iranin për shtypjen e protestave.

Në një intervistë për CBS News, Trump tha se SHBA-ja do të ndërmarrë “veprime shumë të forta” në Iran, nëse regjimi fillon t’i vrasë protestuesit.

“Nuk duam që ajo që po ndodh në Iran të vazhdojë”, tha Trump.

“Nuk do të përfundojë mirë”, theksoi ai

Trump tha se administrate e tij po pret një konfirmim zyrtar të numrit të protestuesve të vrarë nga forcat iraniane të sigurisë.

Irani u zotua se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi, duke goditur Izraelin dhe bazat dhe anijet amerikane në rajon.

Protestat antiqeveritare të nxitura nga gjendja e rëndë ekonomike në Iran përbëjnë sfidën më të madhe për udhëheqësit iranianë, në të paktën tre vjetëve të fundit.

(r.m.)