Hungaria përballet me një krizë energjetike pa precedent

Budapest, 3 gusht 2026 – Kryeministri i Hungarisë, Peter Magyar, tha se vendi po përballet me një “krizë energjetike të paprecedentë”.

“Përpara nesh kemi ditë të nxehta me temperatura deri në 40 gradë Celsius. Rrjeti ynë elektrik, shërbimet publike dhe natyrisht dhe ne vetë do të përballemi me një ngarkesë të jashtëzakonshme”, tha Magyar, citon DW.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të ndihmojnë njëri-tjetrin për të përballuar këtë situatë.

“U bëj thirrje të gjithëve që, duke filluar nga e hëna, të kujdesen edhe më shumë për njëri-tjetrin, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit, të sëmurët dhe personat që jetojnë vetëm”, u shpreh ai.

Magyar paralajmëroi se centrali bërthamor i Paksit nuk do të prodhojë më fare energji elektrike, pasi niveli i Danubit, uji i të cilit përdoret për ftohjen e centralit bërthamor, ra në një minimum rekord,

“Për shkak të nivelit rekord dhe të paprecedent të ulët të ujit në Danub, prodhimi i energjisë elektrike në Paks do të ndërpritet plotësisht”, deklaroi ai.

“Niveli i Danubit pranë Paksit ka rënë në minus 133 centimetra dhe kjo me shumë gjasa do të çojë në mbylljen e plotë të centralit bërthamor të Paksit, për herë të parë në 44 vjet”, tha kryeministri hungarez.

Centrali bërthamor i Paksit, me katër blloqet e tij, siguron pothuajse gjysmën e furnizimit me energji elektrike të Hungarisë.

Edhe ditët e kaluara, Magyar u ka bërë thirrje  kompanive të mëdha, administratës publike dhe familjeve që të reduktojnë ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike. Ndërmarrjeve industriale mund t’u shkëputet përkohësisht lidhja me rrjetin elektrik në qoftë se nuk e respektojnë këtë kërkesë. Edhe qendrat tregtare duhet të ulin përdorimin e sistemeve të ajrit të kondicionuar, ndërsa qytetet, komunat dhe kishat duhet të fikin ndriçimin dekorativ gjatë ditëve në vijim.

(r.m.)

Comment

*