Hunter Biden, djali i Presidentit Biden, shpallet fajtor për tri vepra penale

Uashington, 11 qershor 2024 – Djali i Presidentit Joe Biden, Hunter Biden u shpall fajtor të martën për tre vepra penale që lidhen me blerjen e një arme në vitin 2018 kur sipas prokurorëve, gënjeu në një formular për blerje armësh, duke thënë se nuk ishte përdorues droge apo nuk kishte varësi nga droga.

Presidenti amerikan Joe Biden, përmes një deklarate pas vendimit tha se ai dhe Zonja e Parë gjithmonë do t’i qëndrojnë pranë djalit të tyre “me dashurinë dhe përkrahjen tonë.” Ai tha se do ta respektojë vendimin e jurisë dhe se do të vazhdojë ta respektojë procesin gjyqësor ndërkohë që djali i tij po shqyrton mundësinë ta apelojë vendimin.

“Shumë familje, të dashurit e të cilëve janë përballur me varësinë nga droga, e kuptojnë ndjenjën e krenarisë kur i shohin ata që i duan të tejkalojnë sfidat dhe të tregojnë forcë dhe vendosmëri gjatë rimëkëmbjes,” thuhet në deklaratë.

Presidenti Biden tha se po shkon në Delauerë që të jetë me djalin e tij.

Juria e shpalli zotin Biden fajtor për pretendime të rreme në formularin për blerje armësh dhe për mbajtjen e një arme në shkelje të ligjit për 11 ditë.

Në një deklaratë pas shpalljes fajtor, Hunter Biden falenderoi familjen dhe miqtë për përkrahjen, por shprehu zhgënjimin me vendimin.

“Mirënjohja që ndjej sot për dashurinë dhe përkrahjen gjatë kësaj ndaj Melisës, familjes, miqve dhe komunitetit tim, është më e madhe se sa zhgënjimi nga vendimi”, tha ai. “Tërheqja nga varësia është e mundshme me bekimin e Zotit dhe unë jam i bekuar që e përjetoj çdo ditë këtë dhuratë.”

Në kohën kur u dha vendimi i jurisë, zoti Hunter Biden shikoi pa reagim. Më pas, ai përqafoi avokatët e tij dhe mezi buzëqeshi. Ai puthi bashkëshorten e tij, Melissën, me të cilën doli së bashku nga gjykata.

Avokati mbrojtës Abbe Lowell tha se “natyrisht që jemi të zhgënjyer” nga vendimi për shpalljen fajtor të zotit Biden. Por përmes një deklarate, avokati Lowell tha se ekipi i tij do të respektojë procesin dhe do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për ta sfiduar vendimin.

Reagimi i republikanëve ishte i shpejtë dhe toni i tyre ishte i ndryshëm.

Ligjvënësi James Comer, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Kongresit, që po heton familjen e Presidentit Biden gjatë dy viteve të fundit, tha se ndonëse vendimi shënon “një hap drejt përgjegjësisë”, nuk do të ketë drejtësi “derisa Departamenti i Drejtësisë të ketë hetuar të gjithë ata që janë të përfshirë në skemat korruptive të familjes Biden.”

Hunter Biden përballet me një dënim maksimal prej 25 vitesh në burg, por shkelësve të ligjit për herë të parë nuk u jepen dënime kaq të rënda. Është e paqartë nëse gjykatësja e rastit Maryellen Noreika do ta dënojë atë me vuajtje të dënimit në burg.

Hunter Biden dhe kandidati republikan për president Donald Trump, rivali kryesor politik i Presidentit Joe Biden, janë gjetur fajtor nga juritë në këtë vit zgjedhor.

Presidenti Biden ka qëndruar larg gjykimit në Delauer dhe ka folur shumë pak rreth rastit, duke u kujdesur që të mos krijojë përshtypjen se po ndërhyn në një çështje penale të cilën e ka ngritur Departamenti i Drejtësisë i administratës së tij. Por të gjithë aleatët e tij janë të shqetësuar për ndikimin që ky gjykim – dhe tani dënim – do të ketë tek Presidenti 81 vjeçar, i cili për një kohë të gjatë ishte i preokupuar me shëndetin dhe varësinë e djalit të tij të vetëm të gjallë.

Që të dy, zoti Hunter Biden dhe zoti Trump kanë thënë se janë viktima të politikës së çastit. Por ndërkohë që zoti Trump ka vazhduar të bëjë pretendime të pabaza se dënimi i tij është “montuar”, Joe Biden deklaroi se do të pranojë rezultatet e vendimit dhe nuk do ta falë djalin e vet.

Sfidat ligjore të zotit Hunter Biden nuk përfundojnë këtu. Në shtator ai do të përballet me një gjykim në Kalifoni për akuzat se nuk ka paguar tatim në vlerë prej 1.4 milionë dollarë dhe ligjvënësit republikanë kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë hulumtimet ndaj tij në përpjekjet e tyre në procesin për ta shkarkuar presidentin. Prokurorët që po hetojnë zotin Hunter Biden nuk kanë akuzuar Presidentin Biden për ndonjë shkelje.

(Zëri i Amerikës)

 

Comment

*