Hunter Biden ngre padi ndaj agjencisë së taksave

Uashington, 19 shtator 2023 – Hunter Biden paraqiti të hënën një padi gjyqësore ndaj agjencisë së taksave IRS, duke akuzuar se dy punonjës që pretenduan se pati ndërhyrje për rastin e tij, shpërndanë pa autorizim të dhënat personale të taksave. Ky zhvillim ndodh në një kohë kur pritet të shtohen përplasjet ligjore dhe politike për zgjedhjet e vitit 2024.

Padia thotë se dy punonjësit “vendosën në objektiv dhe u përpoqën ta vënë në pozitë të vështirë zotin Biden”. Zoti Biden thotë se parashikimet ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve, nga të cilat kërkojnë të përfitojnë punonjësit në fjalë, nuk përfshijnë ndarjen e të dhënave konfidenciale në intervista me shtypin, apo gjatë dëshmive në Kongres.

Padia vjen ndërsa një hetim i zgjatur ndaj Hunter Biden-it po vazhdon të marrë formë në një sfond politik me ndasi të theksuara, përfshirë një hetim për ngritje akuzash në Kongres me qëllim shkarkimin e babait të tij, Presidentit Joe Biden.

Ndaj Hunter Biden-it u ngritën akuza ditë më parë se pati gënjyer për përdorimin e drogës, gjatë blerjes së një arme në tetor 2018. Avokatët e tij kanë sinjalizuar se do t’i kundërshtojnë akuzat. Kjo çështje ka gjasa të shndërrohet në një proces gjyqësor të profilit të lartë ndërsa afrojnë zgjedhjet e vitit 2024.

Padia e re civile e paraqitur në Uashington akuzon se në publikimet e paautorizuara përfshiheshin deklaratat e taksave të viteve konkrete që po hetoheshin, përfshirë zbritjet nga taksat dhe aludimet për detyrime të prapambetura. Padia nuk vë në dyshim vetë procesin hetimor, por kërkon “zbatimin e ligjit federal për taksat dhe privatësinë”, si dhe të ndalë përhapjen e “akuzave të pabaza” dhe “publikimin e paligjshëm” të të dhënave të tij të taksave.

Agjenti përgjegjës në agjencinë e taksave, Greg Shapley, dhe agjenti Joe Ziegler, thanë gjatë dëshmisë në Kongres se pati një model “hapash të ngadaltë hetimorë” për rastin e Hunter Biden-it. Të dy punonjësit kanë mohuar të kenë motive politike. Ata kanë aluduar se prokurori që drejtonte hetimin, prokurori i Dellauerit, David Weiss, nuk kishte autoritetet të plotë për të ngritur akuza dhe në juridiksione të tjera.

Prokurori Weiss, i emëruar fillimisht nga ish-Presidenti Donald Trump, dhe që u mbajt në këtë detyrë për të mbikëqyrur çështjen hetimore ndaj Hunter Biden-it, ka mohuar t’i ketë munguar autoriteti për të ngritur akuza. Edhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland ka thënë se prokurori Weiss “ka autoritet të plotë”.

Megjithatë, prokuroi Weiss kërkoi statusin e prokurorit të posaçëm, që iu dha muajin e kaluar. Ai ka tashmë autoritet të zgjeruar për të hetuar dhe për të raportuar për gjetjet e tij.

Hunter Biden pritej të pranonte fajësinë për akuzat për shkeljet për mospagimin në kohë të taksave, në një marrëveshje paraprake të arritur me prokurorët, ku përfshihej edhe fajësia për pronësinë e armës. Marrëveshja u rrëzua megjithatë në gjykatë, pasi gjykatësi ngriti pikëpyetje. Republikanët e kishin kritikuar marrëveshjen si të favorizuar.

Agjencia e taksave IRS dhe avokatët e punonjësve nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

(Zëri i Amerikës)