Hykmete Bajrami kërkon dorëheqjen e parevokueshme të Lumir Abdixhikut

Prishtinë, 14 janar 2026 – Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) kanë filluar diskutimet mbi rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Të martën, në një takim joformal të kryesisë së partisë, u diskutua edhe për përgjegjësinë e kryetarit, të kryesisë dhe të strukturave tjera drejtuese për këtë rezultat. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqje, e la të hapur mundësinë që të mbetet edhe më tutje në krye të partisë, nëse Kuvendi i jashtëzakonshëm që pritet të mbahet së shpejti nu kia miraton dorëheqjen.

Ndryshe nga Abdixhiku, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ajo kërkuar që Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, të japë dorëheqje të parevokueshme dhe kështu të hapet rrugë për zgjedhje të brendshme në parti. Ajo ka bërë të ditur se në respektim të standardit të vendosur nga vetë LDK-ja ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares.

“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme”, ka shkruar ajo në Facebook.

Zonja Bajrami ka theksuar se lidershipi dhe organet drejtuese të LDK-së e kanë humbur legjitimitetin, prandaj zgjedhjet e brendshme i konsideron si të domosdoshme për rimbëkëmbjen e partisë së parë demokratike në Kosovë dhe në rajon

“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, ka theksuar ajo.

“LDK-ja kurrë s’ka qenë dhe as sot nuk është vetëm një parti politike; ka qenë, është dhe do të mbetet mbrojtëse e shtetit dhe e institucioneve, mbrojtëse e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë, por kjo bëhet e mundshme vetëm kur ne vëmë LDK-në para interesit personal dhe Kosovën para interesit politik partiak”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës si në fitore, ashtu edhe në humbje, ka ndërtuar dhe zbatuar standarde

Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme.

Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite.

Përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti politike, te një person i cili, që pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe atë partiak e ka para interesit të Kosovës.

LDK-ja kurrë s’ka qenë dhe as sot nuk është vetëm një parti politike; ka qenë, është dhe do të mbetet mbrojtëse e shtetit dhe e institucioneve, mbrojtëse e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë, por kjo bëhet e mundshme vetëm kur ne vëmë LDK-në para interesit personal dhe Kosovën para interesit politik partiak.

Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër.

Edhe njëherë, falënderoj 126 mijë e 102 qytetarë që kanë votuar LDK-në dhe 57 mijë e 153 gra e burra që më kanë besuar angazhimin tim politik.

Do të vazhdoj të punoj për LDK-në dhe për interesin e vendit, si deputete e zgjedhur në mandatin tim të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.

LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës.

Hykmetja

(r.m.)