Prishtinë, 5 gusht 2026 – Një serb nga fshati Zupçë i komunës së Zubin Potokut, dëshmitar në hetimin për krime lufte të kryera në këtë komunë, u ndalua të martën në pikëkalimin mes Kosovës e Serbisë në Bërnjakë dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë nën dyshimin se kishte dhënë deklaratë të rreme.
Avokati i të dyshuarit me inicialet D.V., Millosh Deleviq, ka deklaruar se klienti i tij ishte ftuar të dëshmonte në hetimet lidhur krime të luftës në fshatrat Mala Kaludra dhe Jabuka të komunës së Zubin Potokut, por prokuroria e procedoi si të dyshuar për dëshmi të rreme.
“D.V. u ndalua sot në Bërnjak si dëshmitar në hetimin për krime lufte. Por, më pas prokurori vendosi të iniciojë procedurë kundër tij, nën dyshimin për dhënie të deklaratës së rreme, arsye për të cilën ai u ndalua nga policia për 48 orë”, ka deklaruar Deleviq për portalin KoSSev, të martën.
Ky rast është pjesë e një hetimi më të gjerë të Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me dyshimet për krime lufte në komunën e Zubin Potokut. Hetimi nisi pas zbulimit të mbetjeve mortore. Dyshohet se ato u përkasin 23 civilëve shqiptarë nga Mitrovica e Jugut, të cilët ishin zhdukur më 19 prill 1999, derisa po largoheshin drejt Malit të Zi.
Tre serbë janë arrestuar deri më tani si të dyshuar lidhur me këtë rast. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile.
Institucionet e Kosovës njoftuan se gjatë gërmimeve në fshatin Kalludra e Vogël janë gjetur mbetje mortore, ndërsa në lokacionin Jabuka janë zhvarrosur mbetjet e katër personave.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të martën se po vazhdojnë hetimet për një varrezë të tretë masive në këtë zonë. por vendndodhja e saj nuk është bërë e ditur.
(r.m.)