I dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach takoi krerët e shtetit të Kosovës

Prishtinë, 5 janar 2023 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten, më 5 janar, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka njoftuar Zyra e Presidentes së Kosovës.

Në njoftim thuhet se Peach është njoftuar nga presidentja Osmani lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ajo ka theksuar përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të vendit për paqe dhe siguri.

Gjithashtu, është thënë se Kosova vazhdon të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë dhe në këtë kontekst, presidentja Osmani ka kërkuar “përfshirje më të madhe të Britanisë së Madhe si një anëtare kyçe e NATO-s dhe një partnere historike e Kosovës”.

“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova në vazhdimësi është palë konstruktive në raport me dialogun me Serbinë, porse pala serbe nëpërmjet përpjekjeve për destabilizim të Kosovës përpiqet ta zhvendosë fokusin nga dialogu”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Në këtë frymë, siç thuhet në njoftim, presidentja Osmani ka kërkuar që ndaj tendencave destabilizuese të Serbisë, “bashkësia ndërkombëtare ta mbajë një qëndrim unik duke dënuar veprime e tilla dhe duke mos bërë barazimin e palëve kur dihet qartë se kush është agresori”.

I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, në pasditen e së enjtes është pritur në takim edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se gjatë takimit me Stuart Peach, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe rëndësinë e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e sigurisë.

“U diskutua edhe për sfidat me të cilat po përballet rajoni i Ballkanit Perëndimor, rrezikun që paraqet për sigurinë dhe progresin ndikimi i Rusisë dhe rolin e rëndësishëm të NATO-s në parandalimin dhe sprapsjen e synimeve të Moskës për rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti tha se “në Kosovë ka progres demokratik, ligjor, ekonomik dhe social, që duhet të mbrohet, bashkë me partnerë dhe aleatë”.

Stuart Peach është emëruar i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në dhjetor të vitit 2021.

Asokohe, ish-kryeministri britanik , Boris Johnson tha se emërimi i Peach është pjesë e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitet dhe paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

(REL)