I digjet vetura Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, Gorski Buriq

Prishtinë, 28 janar 2024 – Kryetari i Kuvendit Komunal të Leposaviqit, Gorski Buriq, ka raportuar në polici se vetura e tij “Fiat Punto” është djegur të dielën, në orët e para të ditës.

“Me datë 28.01.2024, rreth orës 04:20, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në Leposaviq është duke u djegur një veturë. Sipas informative fillestare, cak i djegies ka qenë vetura e tipit ‘Fiat Punto’, me targa të Republikës së Kosovës. Në këtë rast raportohet që ankuesi është mashkull serb (Kryetar i Kuvendit në Kuvendin Komunal në Leposaviq)”, thuhet në raportin e Policisë.

Në raport thuhet se në bazë të hetimeve fillestare, bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.

“Në afërsi të veturës, te motori, është gjetur një shishe plastike dhe një leckë, e cila kundërmon në benzinë e që dyshohet se është vendosur si ndezës për ta djegur veturën”, thuhet në raport.

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se djegia e veturës së Kryetarit të Kuvendit Komunal të Leposaviqit është djegur pas kërcënimeve që kishte marrë ai nga militantë të kreut të grupit të armatosur që kreu sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, Millan Radoiçiq.

Vokrri ka treguar se të premten në veturën e Sllagjan Mijajlloviqit, zyrtar i komunës së Leposaviqit, ishte shkruar grafiti “JE I VDEKUR”, ndërsa zyrtarë të tjerë serbë të kësaj komune janë keqtrajtuar nga policia dhe shërbimi sekret serb gjatë vizitavëe të tyre në Serbi.

“Djegia e veturës së Kryesuesit të Kuvendit Komunal në Leposaviq, z. Gorski Buriq, vie pas shpeshtimit të kërcënimeve nga militantët e Radoiqiç, kundrejt serbëve që i kanë përzënë nga oborret dhe institucionet. Dje e patë grafitin “JE I VDEKUR!” në veturën e z. Sladjan Mijajloviç, zyrtar komunal në Leposaviq. Edhe maltretimi fizik i kolegëve të këtyre nga ana e shërbimit sekret dhe policisë së regjimit fashist të Beogradit, sa herë kalojnë tek familjarët në Serbi, bëhen me të njëjtin mesazh: mos u afroni me shqiptarët e mos e pranoni Kosovën për shtetin tuaj”, ka shkruar Vokrri në Facebook.

(r.m.)