I FTUAR NË FESTIVALIN E USTERIT PASARDHËSI I SKËNDERBEUT SHEH PORTRETIN MINIATURË TË GJERGJIT NË MANUSKRIPTIN E HARVARDIT

Rafaela Prifti

De Romanorum magistratibus: 1465, Fenestella, L. (Lucius) 1452, Houghton Reading Room, Harvard Library, Loris Castriota Scanderbeg, gazetar 

Gazetari dhe studiuesi Loris Castriota Scanderbegh, i cili ishte mysafir nderi i grupit arbëresh në Festivalin shqiptar të Usterit, e pati kërkuar shumë manuskriptin origjinal ku gjendet portreti i paraardhësit të tij heroik Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe e pa sot në Harvard përpara se të kthehej në Itali. Si pasardhës i derës së Kastriotasve dhe hulumtues i trungut gjenealogjik, Loris ndjen përgjegjësi për saktësinë e fakteve si edhe të dhënave dokumentuese të fisit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Trashëgimtari Loris Scanderbegh thotë se ai është provë e gjallë e ekzistencës së familjes së tij. “Në Puglia (Pulia) ka tri bashkësi arbëreshe: në San Marzano di San Giuseppe (provinca e Taranto-s) Shën Marcani i Arbëreshë, Chieuti-Qefti dhe Casalvecchio di Puglia-Kazallveci në Foggia, ndërsa në Italinë e Jugut ka disa qytete arbereshe, shumica e të cilave janë në Kalbri,” vëren Loris.

Një nga dokumentet që kishte me vete në Festivalin treditor 2023 të Usterit ishte proklamata e Republikës së Venecias që ia njeh djalit të tij rangun e fisnikërisë. Pasi përfundoi Festivali, gjatë vizitës në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit, të hënën, kur përmbyllej zyrtarisht qëndrimi në Amerikë, ky dokument ju dhurua arkivit në formë simbolike. Neka Doko, Përgjegjëse e Bibliotekës Memoriale Fan Noli u prezantoi vizitorëve Loris Castriota Skanderbegh dhe Kryebashkiakut të “Horës së Arbëreshëvet” Piana degli Albanesi nga Sicilia, Rosario Petta, koleksionin e botimeve dhe artifakteve për Skënderbeun që i përkasin këtij fondi.

Loris Scanderbegh (shkruar edhe Skanderbegh), me banim në Foggia, i cili e ndjek origjinën në 15 breza të familjes, ka dy vëllezër dhe dy djem, që përbën fakt se “pasardhësit vazhdojnë të ekzistojnë,” thotë ai. Ky është në formë të përmbledhur përshkrimi për historisë e paraardhësve nga Gjoni deri tek familja e tij:

“Me ftesë të Ferdinandit të Aragonës, Mbretit të Mbretërisë së Napolit, Gjoni, djali i Gjergjit, erdhi në Itali me nënën e tij, Donikën. Ai u vendos fillimisht në gadishullin e Garganos, si Zoti i feudeve të Monte Sant’ Angelo dhe San Giovanni Rotondo, që tani janë në provincën e Foggia-s, rajoni Puglia (Pulia). Pas disa vitesh, Gjoni dhe familja e tij shkuan në rajonin e Salentos, në provincën aktuale të Leces. Dhe nga ajo kohë, familja jeton në të njëjtën provincë.”

Midis titujve të fondit të Bibliotekës noliane në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, Loris Castriota shfletoi albumin antologjik nga Fotaq Andrea “Skënderbeu, Heroi Kombëtar Shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës” (Zenit, 2017) ku përfshihen shkrime nga dyqind autorëve shqiptarë e të huaj dhe rreth 1000 ilustrime të një periudhe gjashtëshekullore 1414 – 2017. Një nga ilustrimet e shekullit 15-të paraqet portretin e riprodhur të Gjergjit, të cilin Loris e ka hasur së pari në një katalog të firmës së ankandeve Sothesby’s, në Londër. Kishte kërkuar aq shumë të gjente origjinalin dhe papritmas u hap mundësia për zbulimin e vendndodhjes së manuskriptit të shumëkërkuar. Meqenëse Neka Doko kishte njohuri të sakta për vendndodhjen e manuskripit, ajo i orientoi dhe ndihmoi të kryenin formalitetet e nevojshme për të hyrë në bibliotekën e Harvardit. Kjo është qendra më e njohur e librave të rralla dhe manuskripteve, e ngritur enkas për ruajtjen e koleksioneve antikuare.

Sot, pasardhësi i Kastriotëve në Harvard pa “fytyrën në miniaturë të Gjergjit” paraardhësit të tij heroik të përmasave legjendare në ilustrimin e paraqitur në manuskriptin De Romanorum magistratibus: 1465, Fenestella, L. (Lucius) 1452. Libri i shkruar në latinisht përshkruan ceremonitë e kohës për akordimin e titujve të fisnikërisë apo kalorësisë. Ndonëse emri i Gjergjit nuk përmendet, portreti i paraqitur në ilustrim është autentik. Meqenëse ka dy portrete të mëdha të kohës së Gjergjit në Firenze dhe një tjetër në Romë, është lehtësisht e dallueshme se është shembyllytra e fytyrës së tij, thotë pasardhësi Loris. Sipas të dhënave preliminare që mësoi në dhomën e bibliotekës sot, mendohet se vepra është kaluar në posedim të Harvardit në ankandin e Sothesby’s të vitit 1961 në Londër. Nisur nga tradita e shekullit XV, kur murgjërit e manastireve i shkruanin/riprodhonin me dorë librat, ka gjasa që kjo kopje t’i jetë dhuruar Gjergjit dhe si akt nderimi e vlerësimi për fisnikun të jetë vizatuar në faqet e fundit një portret i tij,” argumenton Loris. “Skënderbeu nuk ishte vetëm prijës e strateg ushtarak por edhe intelektual i shquar. Një fakt i njohur historik është se ai kishte një bibliotekë shumë të pasur. Kopja e librit të ruajtur në Harvard mund të ketë qenë në koleksionin e tij personal,” thotë Loris ndërsa pret në aeroport që të udhëtojë për Itali.

Për shumë e shumë pyetje të tjera në lidhje me procedurën e posedimit të koleksionit nga biblioteka e Harvardit dhe të tjera sqarime me rëndësi për manuskriptin, ai do të vazhdojë të komunikojë me studiues dhe kërkues që i njohu gjatë këtij kërkimi të shpejtë në qendrën e librave të rrallë në Harvard. “Pashë fytyrën e Gjergjit (dhe jo riprodhim) në atë faqe dhe ky ishte moment prekës për mua,” pohon Loris. Ai erdhi në Uster si trashëgimtar i Gjergj Kastriotit, si ruajtës dhe përcjellës i lidhjes sonë të gjakut por gjeti jehonën e historisë dhe ngrohtësisë familjare si edhe mbase nga këtu filloi premisa e një zbulimi të ardhshëm me rëndësi kombëtare.

“Granting privilege of the Venetian nobility to Giovanni Castriota, son of Giorgio.” The document, dated 25 September 1463, is in the Register of Privileges, second volume, sheet 67 recto, conserved in the State Archives of Venice. (Dokumenti i ruajtur ne arvikat e Shtetit te Venecias sipas te cilit Xhovani Kastriotit, birit te Gjergjit, i jepen privilegjet e fisnikerise veneciane, mban daten 25 shtator 1463, ne regjistrin e privilegjeve, vellimi 2, faqja 67 e protokolluar.)