IAEA konfirmon se Izraeli e ka goditur një impiant bërthamor iranian në Isfahan

Vjenë, 21 qershor 2025 – Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së, ka konfirmuar se Izraeli e ka sulmuar një impiant bërthamor iranian në Isfahan, duke rritur shqetësimet për sigurinë bërthamore në rajon.

Drejtori i përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi, ka thënë se objektiv i sulmit ishte një uzinë centrifugash që përdoren për pasurimin e uraniumit. Ai ka thënë se sulmi nuk ka shkaktuar pasoja radiologjike.

“Ne e njohim mirë këtë objekt. Aty nuk kishte material bërthamor, ndaj sulmi nuk ka pasoja radiologjike,” ka deklaruar Grossi.

Sipas IAEA, ky është sulmi i tretë i Izraelit ndaj një objekti bërthamor iranian që nga fillimi i sulmeve, më 13 qershor. Dy objektet e mëparshme të Izraelit ishin Qendra Kërkimore në Teheran dhe një tjetër uzinë  në qytetin Karaj.

Të premten, në një deklaratë para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Grossi ka raportuar për përkeqësim të ndjeshëm të sigurisë bërthamore në Iran, ndonëse deri më tash nuk ka pasur rrjedhje radiologjike.

“Sulmet ndaj objekteve bërthamore në Iran kanë shkaktuar një përkeqësim të ndjeshëm të sigurisë bërthamore, edhe pse deri tani nuk ka pasur rrjedhje radiologjike që të ketë ndikuar në publikun e gjerë. Rreziku që kjo të ndodhë ekziston”, ka thënë Grossi.

(r.m.)