Ibrahimoviq: Mali i Zi do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Podgoricë, 12 qershor 2025 – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq ka thënë se vendi i tij do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ibrahimoviq ka thënë se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe mbështetja e kësaj kërkese nuk do ta kërcënojë koalicionin qeverisës në Mal të Zi.

“Mali i Zi njihet nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që kultivon marrëdhënie të mira fqinjësore. Prandaj, ne do ta mbështesim vendin tonë mik, Kosovën, sepse është një përparësi e politikës së jashtme të jetë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian dhe kjo nuk bie ndesh me atë rrugë”, ka thënë Ibrahimoviq, në një intervistë për televizionin publik të Malit të Zi.

Shefi i diplomacisë malazeze ka thënë se Kroacia do ta mbështesë Malin e Zi në rrugëtimn drejt anëtarësimit në BE-së.

“Gjëja e mirë është se, pas pesë vitesh, filluam konsultimet politike dypalëshe. Gjërat kanë ecur përpara. Nuk dua të flas në terma të përgjithshëm, por mendoj se brenda 12 ose 13 ditësh do të kemi përgjigje për disa pyetje”, ka thënë ai.

Ibrahimoviq do të jetë pjesë e delegacionit të Malit të Zi në samitin e NATO-s në Hagë, ku do të diskutohet për ndarje më të mëdha fondesh për mbrojtje.

“Gjëja kryesore është që Mali i Zi të njihet si një partner i besueshëm dhe ne, si një vend i vogël, do të kontribuojmë në sigurinë kolektive”, ka thënë ai.

(r.m.)

Comment

*