ICG: Normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi faktor kyç për stabilitetin në rajon

Sofje, 26 maj 2024 – Organizata joqeveritare “International Crisis Group” (ICG) ka hartuar një draft-raport për situatën në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe situatën në Kosovë.

Ky raport, ku flitet edhe për sulmin terrorist të grupit paramilitar serb në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator 2024, është cituar të shtunën në komisionin për mbrojtje e siguri të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Sofje. Në raportin e ICG-së thuhet se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, kishte negociuar për tërheqjen e paramilitarëve serbë nga Banjska dhe kthimi i tyre nga kishin ardhur, në Serbi.

“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport.

ICG ka dalë edhe me disa konkluzione dhe rekomandime për vendet e rajonit, përfshirë Kosovën. Ndër të tjera, në raport thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është faktori kryesor i paqëndrueshmërisë në rajon.

“Akterët kryesorë ndërkombëtarë në rajon po reagojnë ndaj zhvillimit të situatës. NATO ka përshtatur strukturën e saj të forcave në Kosovë – ajo ka ndryshuar vendosjen e tyre dhe ka shtuar afërsisht 800 trupa shtesë. BE-ja ka përshtatur numrat e saj në terren gjithashtu. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar përpjekjet e tyre për të sjellë Beogradin dhe Prishtinën në tryezë për një marrëveshje të vërtetë që ata mund të nënshkruajnë dhe të zbatojnë”, thuhet në raportin e ICG-së, transmeton Telegrafi.

Si përfundim, ICG rekomandon që aleatët e NATO-s të vazhdojnë presionin ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Para së gjithash, Aleatët e NATO-s, BE-ja dhe partnerët e tyre duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion të duhur mbi Beogradin dhe Prishtinën për të zhbllokuar dialogun dhe për të gjetur një rrugë përpara për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre”, thuhet në raport.

ICG ka vlerësuar se prania e trupave të NATO-s në Kosovë është ende e nevojshme, duke pasur parasysh evolucionin e ngjarjeve në terren dhe në rajon.

“Vëmendja e Aleatëve ndaj Kosovës nuk mund të injorohet – më shumë forca, të pozicionuara siç duhet atje janë prioritet”, thuhet mes tjerash në raportin e ICC-së.

(r.m.)