Milano, 26 maj 2025 – Klubi i madh fotbollistik Milan ka njoftuar se Igli Tare është emëruar drejtori i ri sportiv i ekipit të parë, duke nënshkruar një kontratë tre-vjeçare
“AC Milan njofton për emërimin e Igli Tares si drejtor sportiv të ekipit të parë. Ai do t’i raportojë drejtpërdrejt drejtorit ekzekutiv të klubit, Giorgio Furlani”, thuhet në komunikatën e klubit.
“Jemi të kënaqur ta mirëpresim Igli Taren në familjen ‘Rossoneri’. Ai është personi i duhur për të nisur një kapitull të ri”, thuhet në komunikatë.
Milan e cilëson Taren si “profilin ideal” për kapitullin e ri të klubit.
“Kompetenca, vendosmëria dhe vlerat e forta, të kombinuara me një kuptim të thellë të futbollit italian dhe një vizion ndërkombëtar, e bëjnë atë profilin ideal për të mbështetur kapitullin e ardhshëm të klubit, përmes zhvillimit të një projekti ambicioz sportiv”, ka thënë drejtori ekzekutiv I klubit, Giorgio Furlani, në faqen zyrtare të klubit.
Vetë Tare e e ka vlerësuar emërimin e tij në një post aq të rëndësishëm në klubin me histori shumë të bujshme në futbollin Italian e ndërkombëtar.
“Të bëhesh pjesë e një klubi si Milani është një burim krenarie dhe përgjegjësie të madhe. Falënderoj klubin që më besoi këtë rol”, ka thënë ai, pas emërimit.
Ai ka thënë se gjithë dijen dhe përvojën e tij do t’i vë në shërbim të klubit të ri që zynon të rikthehet në majat e futbollit Italian e evropian.
“Klubi e njeh vendosmërinë time të fortë dhe dëshirën time për të pasur sukses.Do t’ia kushtoj të gjithë përvojën time shërbimit ndaj këtij klubi të madh, i cili është i vendosur të kthehet në ballë të futbollit italian dhe evropian”, ka thënë Tare.
Ish-sulmuesi i Flamurtarit të Vlorës dhe i Partizanit të Tiranës si edhe i kombëtares së Shqipërisë, ku i ka zhvilluar 68 ndeshje, ka një karrierë të pasur në futbollin evropian. Ai ka luajtur në disa klube të Gjermanisë, përfshirë klubet e Bundesligës 1: Karlsruher dhe Kaiserslautern. Në Itali ka luajtur për klubet e Serie A: Brescia, Bologna dhe Lazio.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, në vitin 2008, e deri para ka qenë drejtor sportiv i Lazios.
(r.m.)