Tiranë, 25 qershor 2026 – Shtetasja e Kosovës, Ikballe Huduti (Berisha), është shpallur person i padëshiruar në Shqipëri.
Urdhri për ta shpallur person të padëshiruar për 15 vite është nxjerrë nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.
Motivi i vendimit bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetase vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.
Urdhri i ministrit Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Ikballe Huduti (Berisha) konsiderohet si mbështetëse e regjimit të ajatollahëve në Iran. Ajo është shfaqur publikisht krah ish-presidentit të Iranit, Mahmud Ahmandinexhad.
Vendimi për shpalljen e saj person i padëshiruar në Shqipëri erdhi pas raportimeve se ajo është parë në protestën antiqeveritare në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë pas publikimit të fotos, duke e akuzuar atë se “predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës…”
“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës“, ka shkruar ai.

Rama e akuzon Iranin për nxitjen e protestave antiqeveritare në Shqipëri.
Ikballe Huduti ka reaguar pas vendimit të qeverisë shqiptare për ta shpallur person të padëshiruar në Shqipëri. Në një mesazh publik drejtuar kryeministrit Rama, ajo ka thënë se merr pjesë në tubime në mbrojtje të interesit të qytetarëve.
“Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim”, ka shkruar ajo.
“Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik”, ka theksuar ajo.
Huduti u ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të dëgjojnë “zërin e qytetarëve të revoltuar” në Shqipëri.
“Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet”, ka shktruar ajo, ndër të tjera.
(r.m.)