Ilir Beqaj lirohet nga burgu, dërgohet në “arrest shtëpie”

Tiranë, 31 korrik 2026 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të premten më 31 korrik lirimin nga qelia të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Elsa Ulliri, bazuar në kërkesën e përfaqësuesit ligjor të Beqajt, avokatit Ermal Yzeiraj, i cili argumentoi se ishin përmbushur afatet ligjore për konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar dy vjet më parë.

Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik të vitit 2024, për aferën me milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, përmes një skeme korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive, në kohën kur drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC.

Sipas nenit 263 të Kodit të Procedurës Penale, paraburgimi e humbet fuqinë në qoftë se nga fillimi i zbatimit të tij kanë kaluar dymbëdhjetë muaj, kur procedohet për krime që dënohen në maksimum jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Çështja penale në ngarkim të Beqajt e të pandehurve të tjerë për aferën e SASPAC u dërgua për gjykim një vit më parë, ndërkohë që më 27 korrik, pas afro një viti seancash paraprake, gjykata e riktheu për hetime të mëtejshme në SPAK, duke lënë afat deri më 30 tetor për kryerjen e detyrave.

Bazuar në këto rrethana, gjyqtarja Ulliri konstatoi humbjen e fuqisë së masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar ndaj Beqajt dy vjet më parë dhe e la atë në “arrest shtëpie”. Për të njëjtat arsye u shua paraburgimi një ditë më parë dhe për të pandehurin tjetër në këtë çështje, Ermal Kurtulaj.

Përgjimet e kryera nga SPAK në vitin 2023 për kontratën koncesionare të check up-it, e ashtuquajtur “kontroll shëndetësor falas”, zbuluan skemën e dyshuar të korrupsionit dhe pastrimit të parave duke keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian, në krye të së cilës qëndronte ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe miku i tij i hershëm, Ermal Kurtulaj.

Në atë kohë Beqaj drejtonte, SASPAC që kishte si funksion menaxhimin me efikasitet të fondeve të donatorëve, ndërsa Kurtulaj ishte koordinator i programit EUSAIR Facility Point, të financuar nga Bashkimi Evropian. Kurtulaj është emëruar në këtë pozicion nga Beqaj, në maj të vitit 2022.

Kur ishte ministër, Beqaj nënshkroi një sërë kontratash koncesionare kontroverse në sektorin e shëndetësisë. Ai i’a doli t’u shmangej përgjegjësisë penale për vite me radhë për këto afera deri në mars 2024, kur SPAK përfundoi hetimet për kontratën e sterilizimit dhe i njoftoi akuzën e shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, ish-deputeti socialist sipas SPAK vijoi të kryente paligjshmëri dhe kur ishte marrë i pandehur dhe po hetohej në gjendje të lirë për koncesionin e sterilizimit. Ai u vendos në pranga më 4 korrik të vitit të kaluar për abuzimet me fondet e BE-së.

SPAK e akuzon Beqajn në këtë çështje për korrupsion, shkelje të barazisë në tenderë në lidhje me disa procedura prokurimi të kryera nga SASPAC, si dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private në restorantin Gzona, që gjendet në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – zonë historike e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanit dhe kulinarisë.

Restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj. Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura. Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.

Përveç Beqajt dhe Kurtulajt, në këtë procedim janë marrë të pandeur për mashtrime, falsifikime e korrupsion shtetasit Marinela Jazoj, Alfred Nikolla, Gazmend Haxhia, Elton Marini, Bjona Ziaj, Bledar Leka e Mira Topçiu, si dhe shoqëritë tregtare Landëays International Sh.P.K. dhe Nine Service INT Sh.P.K..

(Reporter)

Comment

*