Tiranë, 31 korrik 2025 – Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së kësaj partie për shfuqizimin e ligjit mbi zonat e mbrojtura, për shkak të ndarjes së barabartë të votave të gjyqtarëve të Kushtetueses, 4 me 4.
Në një postim në Facebook, Zhupa e cilëson këtë si një “dredhi të turpshme” të Gjykatës, për të mos marrë përgjegjësi dhe për të lënë në fuqi një ligj që ajo e konsideron antikushtetues.
“Katër gjyqtarë e pranojnë shkeljen kushtetuese, katër të tjerë jo, dhe në fund kërkesa rrëzohet. Kjo nuk është drejtësi, është një mënyrë për të ruajtur status quo-në e qeverisë”, shkruan Zhupa.
Ajo paralajmëron se çështja do të dërgohet në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke iu referuar edhe një vendimi të mëparshëm të kësaj gjykate në çështjen “Marini kundër Shqipërisë”, i cili, sipas saj, dënon pikërisht praktikat e tilla të bllokimit përmes ndarjes së barabartë të votave.
Zhupa i falënderon organizatat mjedisore për pjesmarrje në çdo pjesë të procesit dhe për sigurimin e materialeve mbi standartet europiane të zonave të mbrojtura dhe të konventave nënshkruese e të cilave është Shqipëria.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Dredhitë e Gjykatës Kushtetuese për të larë duart nga shkatërrimi që pret zonat e mbrojtura në Shqipëri nuk na ndalojnë!
Në Strasburg për mbrojtjen e vendit! Nga sot nuk kemi më zona të mbrojtura!
Ndarja 4 me 4, ku 4 gjyqtarët pranojnë që ka shkelje kushtetuese dhe 4 gjyqtarë mendojnë se nuk ka, con në rrëzimin e kërkesën dhe pse nuk ndajnë dot nëse është apo jo antikushtetues. Kjo barazi është përdor dhe në raste të tjera si dredhi për të vendosur pa vendosur, për të ruajtur status quo e qeverisë duke bërë sehir.
Kjo praktikë dënohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ku në çështjen Marini kundër Shqipërise, 2007 shprehet se “del në përfundimin se parashikimi për ndarjen e votave në mënyrë të barabartë nuk i shërben sigurisë juridike dhe mund të privojë ankuesin nga e drejta efektive për një vendim përfundimtar për kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese”. Nuk mund të fshihen pas ligjit, ku ska asnjë arsye juridike dhe morale se përse katërshja që mendon se nuk ka shkelje duhet të prevaloj mbi katërshen që argumenton se ka shkelje?!
Për sa më lart do shkohet në Strasburg për të gjetur të drejtën e mohuar nga drejtësia shqiptare.
Është fatkeqësi për vendin që lënë në fuqi një ligj antikushtetues dhe dështim për Gjykatën Kushtetuese. Turpi i ngelet gjykatës, ne rrëzohemi pa u rrëzuar me dredhi që nuk respektojnë as standartet europiane.
Pavarësisht kësaj dua të falenderoj edhe organizatat mjedisore për pjesmarrje në çdo pjesë të procesit dhe që kanë pajisur me materiale gjykatën mbi standartet europiane të mbrojtura dhe nga konventat që bën pjesë Shqipëria. Gjithashtu falenderoj për punën e tyre dy avokatët e nderuar Marash Logu dhe Franci Nuri.
Zonat e mbrojtura do mbrohen, sepse i mbron kushtetuta dhe se ja kemi detyrim brezave të ardhshëm për ti lënë një Shqipëri më të mirë se sot dhe jo të betonizuar dhe të shkatërruar nga babëzia e klientëve të pushtetit.
(r.m.)